Foto: MAPL

Auditori: Me vendim të ministres Hoxhiq u financuan 16 projekte pa kritere në komuna kryesisht serbe

Projekte kapitale të komunave me shumicë serbe në vlerë gjysmë milioni euro janë financuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pa asnjë kriter. Ky është konstatimi që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për MAPL-në për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2019.

“Përveç kritereve të caktuara nga MAPL për ndarjen e mjeteve për komuna nga granti i performancës dhe kriteret e caktuara në thirrjen publike për fondet e bashkëpunimit ndër-komunal, MAPL kishte bërë ndarjen e mjeteve financiare tjera për financimin e projekteve kapitale të komunave, vetëm përmes vendimeve të ministres pa caktuar ndonjë kriter”, thuhet në raportin e Auditorit.

Përmes këtyre vendimeve të ish-ministres Adrijana Hoxhiq, sipas Auditorit, ishin financuar 16 projekte të komunave kryesisht serbe në vlerë 596,225€.

Këto financime, sipas Auditorit, ministria i kishte arsyetuar me faktin se komunat në fjalë nuk kishin përfituar nga dy skemat e para dhe qëllimi i ministrisë ishte që të gjitha komunat të përkrahen financiarisht nga MAPL.

Auditor tregon se  Ligji Nr. 06/L-133 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, neni 17 paragrafi 6 parasheh se “për çdo financim ose bashkëfinancim të projekteve në nivel lokal mbi financimin e rregullt komunal, organizatat buxhetore qendrore duhet të zbatojnë kritere specifike, të qarta, të drejta dhe transparente. Këto kritere duhet të marrin parasysh zhvillimin e balancuar komunal dhe ndërkomunal në ndërtimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve”.

Sipas Auditorit, ndarja e mjeteve financiare për komunat pa zbatuar kritere të qarta, specifike dhe transparence ndikon në trajtim dhe financimin jo të drejtë dhe të barabartë të komunave.

Prandaj  Ministrit iu rekomandua se duhet të siguroj se para financimit të të gjitha projekteve kapitale të komunave, do të caktohen kritere specifike, të qarta, të drejta dhe transparente siç parashihet me ligjin për ndarjet buxhetore.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ministrja në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Emilja Redzepi konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit  pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2019 të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.