Ilustrim

Auditori kritikon "projektet paushalle" të komunave (VIDEO)

Auditori i Përgjithshëm në Raportin Vjetor të Auditimit ka kërkuar nga komunat dhe instutucionet e tjera që aktivitetet e prokurimit për kontrata për punë të mos iniciohen pa projektin kryesor ekzekutiv.

Ky rekomandim i Auditorit ka ardhur pasi në shumë prej institucioneve, në veçanti nëpër komuna janë hapur tenderë për punë vetëm duke u bazuar në paramasa.

Hapja e tenderëve pa projektin ekzekutiv ka shkaktuar disa probleme zingjirore, siç është ndryshimi i madh në mes të vlerës së planifikuar të tenderit dhe vlerës së kontratës së nënshkruar, si dhe nevoja për ndryshim të pozicioneve të kontraktuara.

Diana Metushi Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se komunat nuk bëjnë hulumtim të tregut e as nuk i hartojnë projektet ekzekutive para se të iniciojnë një projekt.

“Kemi arsyetime të vazhdueshme që thojnë se e kemi planifiku 200 mijë euro, ka kushtu 100 mijë euro e kemi kursyer paranë publike. Jo nuk e keni kursyer paranë publike, ti e keni dëmtu qytetarin prej një të mirë tjetër që ka mujt me pas prej atyre 100 mijë eurove që institucioni  mendon se i ka kursyer. Ti i ke blloku 100 mijë euro pa pikë nevoje, që ke mujt me investu në diçka tjetër”, thotë ajo.

Ndërsa në anën tjetër, sipas Arben Selimit, që është Auditor i Performancës në Departamentin për Auditim të Prokurimit, në shumicën e komunave nuk ka planifikim të projekteve. Sipas tij, planifikimi nuk realizohet siç është i paraparë në fillim.

“Në bazë të raportit që e kemi publikuar, ka rezulatuar që shumicën e komunave, por edhe në nivel qendror, planifikimi lë për të dëshiruar, nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm. Kryesisht planifikimi nuk realizohet siç është i paraparë, për shkaqe të ndryshme. Një nga to është edhe mënyra se si i buxhetojnë komunat dhe ministritë paratë për realizimin e këtyre projekteve”, ka thënë ai.

Tutje, Selimi ka thënë se një planifikim i keq i projekteve, përveç zvarritjes së punëve, mund të shkaktojë kosto shtesë për komunat, si në para, ashtu edhe në kohë.

“Një është se nëse nuk planifikohet mjaftueshëm, realizimi i projekteve mund të zvarritet për një kohë të gjatë, më tepër se është normale. Një projekt për tu realizuar kërkohet.., në raportin e fundit kemi gjetë se ka projekte që është dashur tre vite për të realizuar, ndërsa ka pasur mundësinë që të realizohen brenda 3-4 muaj. Ndërsa ka edhe të tjera që nuk janë realizuar fare, si rezultat i mungesës së buxhetit”, ka thënë Selimi.

Sipas Selimit, pothuajse secila kontratë e prokurimit, sidomos për ndërtim, pason me një aneks-kontratë që është së paku 10% e vlerës së kontratës bazë.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit (KRPP) , Osman Vishaj, thotë se ka raste kur ka dallime të mëdha në mes të vlerës së parashikuar dhe kontratës së nënshkruar.

Sipas tij, pika më e dobët në një projekt të tenderuar, është planifikimi i detajuar i tij.

Vishaj thotë se “huqjet” më të mëdha janë në planifikimin e vlerës së përgjithshme, se sa do të kushtojë projekti.

“Ka Autoritet Kontraktues kur vlerën e parashikuar të kontratës e ka 1 milion, kurse oferta vjen 300 mijë ose 400 mijë. Këtu duhet të fillojë të jap dikush përgjegjësi, për punën që e bën. Edhe ai që e inicion, që e bën paramasën ose parallogaritjen e një projekti, e ka për obligim që t’i shpjegojë dikujt pse ka ardhë deri te kjo situatë, kur vlera e planifikuar është 1 milion, vjen kontrata ta marrim me 300 mijë euro. Ose ka edhe tejkalime, por që janë raste më të rralla”, ka thënë Vishaj.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, komunat obligohen që së bashku me dosjen e tenderit të publikojnë edhe projektin ekzekutiv.

Xhevet Dakaj, menaxher në kompaninë ‘Tahir Batatina’ që ka marrë disa kontrata nga komunat, thotë se në nivelin lokal është bërë “rutinë” që punimet të bëhen pa një projekt. Sipas Dakajt, në një rast është dashur që vetë si kompani të merren me problemet e pronave me banorët lokalë.

“Në përgjithësi është bërë një rutinë, në të gjitha komunat e Kosovës, që japin punimet me u kry vetëm me paramasë, në raste të rralla ka edhe projekte, gjë që në atë rast nuk kemi kurrfarë projekti, kemi punu vetëm me paramasë, trasen e kemi caktu vetë, edhe problemet me fshatarët me kalu nëpër toka, i kemi zgjidhë sa kemi mujt vetë”, thotë Dakaj.

Komuna e Lipjanit është prej komunave që ka kontraktuar kompani projektese për realizim të projekteve ekzekutive.

Rasim Hasani, drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Lipjanit, thotë se kjo komunë ka një firmë të kontraktuar profesionale për hartimin e projekteve.

“Komuna e Lipjanit ka firmë të kontraktuar profesionale për projektimin e projekteve të tilla dhe bazuar në kërkesa të qytetarëve, me qëllim të ofrimit të kushteve sa më të mira në infrastrukturë, ne e kemi projektuar këtë projekt, në bashkëpunim me firmën projektuese”.

Ai ka treguar edhe për kontrollin e cilësisë së punimeve që bëhet në projektet që realizohen në Komunën e Lipjanit.

“Jo vetëm  projekti në fjalë, por thuajse në të gjitha projektet, kusht i domosdoshëm është testimi i mostrave dhe sjellja e rezultateve të mostrave, në realizimin e atij projekti. Domethënë të gjitha projektet, janë me këtë specifikë teknike, të gjitha projektet që realizohen në komunë janë me këtë specifikë teknike dhe operatori pas përfundimit të punimeve, operatori ekzekutues i punimit e ka për obligim të sjellë edhe mostrat ose testet e laboratorit të licencuar, për rastin në fjalë”, thotë Hasani.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e ka shënuar si gjetje në secilën komunë në të cilën janë evidentuar tenderë të hapur për punë pa projekt ekzekutiv, në kundërshtim me rregullat e prokurimit.