FOTO KALLXO - Arkiv - Shpend Ahmeti

Auditori: Komuna e Prishtinës deri në 11 muaj vonesa për t`i shqyrtuar kërkesat për leje ndërtimore

Komuna e Prishtinës nuk ka respektuar afatet ligjore për lëshimin e lejeve ndërtimore dhe mjedisore.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të komunës për vitin 2020.

Në raport thuhet se në 13 nga 18 mostrat e testuara të lejeve të ndërtimit, është identifikuar se vonesat në shqyrtim të këtyre kërkesave ishin nga një deri në 11 muaj.

ZKA potencon se, kjo situatë ka ndodhur si rezultat i numrit të madh të kërkesave për leje të ndërtimit, mos mbajtja e lëndëve në mënyrë të organizuar si dhe stafit të pamjaftueshëm.

Ndërsa, zyrtarët komunal kishin shtuar se “kriteri ligjor i ditëve për lëshimin e lejeve të ndërtimit, është shumë ambicioz, në raport me numrin e kërkesave dhe kapaciteteve njerëzore në Drejtorinë e urbanizmit, kjo ka ndikuar që lëndët dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit të bëhen me vonesë”.

Auditori thekson se vonesa kishte edhe në lëshimin e lejeve mjedisore, në pesë raste është identifikuar se vonesat ishin nga një deri në katër muaj e gjysmë.

Shkak për këtë, sipas zyrtarëve komunal janë mungesa e kapaciteteve njerëzore brenda Drejtorisë së Planifikimit Strategjik (e sidomos sektori për lëshimi e lejeve mjedisore komunale) për ti përfunduar me kohë të gjitha lëndët (kërkesat) për Leje mjedisore komunale.

Sipas Nenit 17 pika 1.2 i Ligjit të ndërtimit me Nr. 04/L-110 përcaktohet se: ”Leja ndërtimore lëshohet nga organi kompetent brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe dyzet e pesë (45) ditë për kategoritë II dhe III”. Po ashtu, sipas nenit 11 të Udhëzimit administrativ me nr. 01-2017- Për dhënien e lejeve mjedisore komunale: ”Vendimi për miratim ose refuzim të LMK-se i nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë përkatëse, lëshohet në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës”.