Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Auditori: Komuna e Kamenicës për ndarjen e mekanizmave bujqësore përdori kritere jo në pajtim me thirrjen publike

Në komunën e Kamenicës gjatë përzgjedhjes së fituesve për subvencione për mekanizëm bujqësor, zyrtarët komunal kishin përdorur kritere që nuk kanë qenë në pajtim me thirrjen publike.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Kamenicës, e cila është publikuar në raportin e vitit 2020.

Thirrja Publike për aplikim për subvencion në projektin për “Mekanizëm bujqësor”, përmban kriteret në bazë të cilave do të vlerësohen aplikuesit, si sipërfaqja e tokës, posedim i traktorit, kopja e letërnjoftimit, vërtetimi mbi tatimin në pronë, fleta poseduese e tokës dhe çertifikata e fermerit.

Për këtë proces, Auditori ka testuar 17 aplikacione në të cilat është gjetur se nuk janë përdorur kritere të tjera.

“Kemi testuar 17 lëndë të aplikuesve dhe kemi gjetur se gjatë vlerësimit janë përdorë kritere të cilat nuk kanë qenë pjesë e Thirrjes Publike për të eliminuar jo-përfituesit si: aplikuesi ka të punësuar në familje, ka gjendje të mirë ekonomike, ka mekanizmin e kërkuar, ka qenë përfitues nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, dhe se ka qenë përfitues i Granteve nga MBPZHR”, thuhet në raport.

Poashtu Auditori ka vërejtur  se në dy raste aplikantët janë eliminuar edhe pse i kanë plotësuar kriteret.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Kamenicës, Meriton Ramabaja në një përgjigje për KALLXO.com ka sqaruar se përse ka ndodhur një gjë e tillë.

Sipas tij, kur janë përcaktuar fillimisht kriteret në Thirrjen Publike për aplikim për subvencion në projektin për “Mekanizëm bujqësor”, nuk kanë arritur t’i parashohim të gjitha rrethanat që mund të dalin në teren gjatë procesit të vlerësimit të aplikuesve.

“Rrjedhimisht në rastet kur pikët kanë rezultuar njësoj, komisioni me qëllimin më të mirë, ka përdor kritere shtesë favorizuese si: nëse njëri aplikues ka gjendje më të dobët ekonomike, nëse nuk e posedon mekanizmin e kërkuar, apo nëse nuk ka qenë përfitues I mëhershëm i granteve nga MBPZhR. Përfundimisht, asnjë aplikues nuk është ankuar pas përdorimit të këtyre kritereve shtesë”, tha ai.

Ramabaja poashtu ka theksuar se së shpejti një situatë e tillë nuk do të përsëritet edhe në thirrjen e ardhshme e cilat do të bëhet së shpejti.

“Në thirrjen e radhës, përshihen përveç kritereve të cekura nga ZKA dhe kritere shtesë në bazë të të cilave, Komisioni, do të kryej procesin e vlerësimit. Vlen të ceket se edhe komisioni paraprapk edhe ky I tanishëm janë të përbërë vetëm nga shërbyesit civil komunal”, tha ai.

Sipas Auditorit, përdorimi i kritereve të pa përcaktuara në Thirrjen Publike, krijon mundësinë e përzgjdhjes së përfituesve jo meritor dhe rritë rrezikun që kriteret e përdorura të përshtaten për grupe të caktuara të aplikantëve dhe manipulimet me procesin.

Me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit është pajtuar kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kastrati poashtu nga Auditori ka marrë rekomandim për të parandaluar që një rast i njëjtë të përsëritet.

“Kryetari duhet të sigurojë se zyrtarët të cilët janë pjesë e komisionit të vlerësimit, të vlerësojnë aplikacionet në pajtim të plotë me kriteret e vendosura në Thirrjen Publike. Gjithashtu komisionet të mos përdorin kritere të cilat nuk kanë qenë të publikuara, janë diskriminuese, apo të cilat aplikuesit nuk dinë se duhet t’i plotësojnë”, thuhet në raport.