Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Auditori: Komuna e Gjakovës pagoi rreth 15 mijë euro për punë të pakryera

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Gjakovës e udhëhequr nga Ardian Gjini, ka paguar rreth 15 mijë euro për disa punë të pakryera.

Punët e pakryera janë evidentuara në projektin e renovimit të Pallatit të Kulturës në fshatin Cërmjan, në projektin e dërtimit të sallës së edukatës fizike “Kadri Kusari” në Gjakovë.

Sipas Auditorit, për projektin “Renovimi i Pallatit të Kulturës Cërmjan”, në dy raste pagesat ishin realizuar për punët e pakryera. Vlera e këtyre dy pagesave ishte 3 mijë e 120 euro. Në njërin rast nuk ishin vendosur fare dy kaldaja kurse një kaldajë e vendosur nuk ishte ekuivalente apo e ngjashme me modelin e kontraktuar. Ndërsa në rastin tjetër, edhe pse mbikqyrësi kishte nënshkruar se puna ishte realizuar, nga evidentimi fizik është vërejtur se kjo punë nuk ishte realizuar.

Në rastin e punëve të pakryera në projektin “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike Kadri Kusari, Gjakovë”, sipas Auditorit, vlera ishte 11 mijë e 513 euro.

Në raportin e auditimit thuhet se zyrtarët e Komunës së Gjakovës kanë deklaruar se shkak i realizimit të pagesave për punët e pakryera te projekti “Renovimi i Pallatit të Kulturës në Cërmjan”, ishte se në të njëjtin objekt kanë qenë duke operuar edhe firma të tjera, kurse për te projekti “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike të shkollës “Kadri Kusari””, arsye ishin kushtet atmosferike.

Raportin e plotë për Komunën e Gjakovës mund ta gjeni KËTU.