Auditori: Komuna e Gjakovës harxhoi mbi gjysmë milion euro për shpenzime gjyqësore

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se Komuna e Gjakovës ka harxhuar mbi 525 mijë e 777 euro në vitin 2021, për shpenzime gjyqësore.

Në raportin e Auditorit për komunën e udhëhequr nga Ardian Gjini (AAK), thuhet se shpenzimet direkte të komunës përmes Thesarit ishin në vlerë prej 2 milion e 17 mijë e 823 euro, ndërsa prej tyre 525 mijë e 777 euro ishin kosto shtesë për shpenzime gjyqësore.

Vetëm nga 10 mostra të testuara në vlerë prej 1 milion e 480 mijë euro, shpenzimet shtesë ishin 406 mijë e 621 euro.

“ Nga kategoria e Mallra dhe Shërbimeve, dy raste në vlerë prej 45,917€, prej tyre 5,887€ ishin kosto shtesë për shpenzime gjyqësore, përmbarimore dhe të interesit;Nga kategoria e Pagave dhe Mëditjeve, pesë raste në vlerë prej 1,320,700€, prej tyre 387,361€ ishin kosto shtesë për shpenzime gjyqësore, përmbarimore dhe të interesit; Nga kategoria e Investimeve kapitale, dy raste në vlerë prej: 82,924€, prej tyre 6,421€ ishin kosto shtesë për shpenzime gjyqësore, përmbarimore dhe të interesit; dhe Nga kategoria e Subvencioneve dhe transfereve, një rast në vlerë prej 31,451€, prej tyre 6,951€ ishin kosto shtesë për shpenzime gjyqësore, përmbarimore dhe të interesit”, thuhet në raport.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ka ndodhur si rezultat i mos pagesës me kohë të obligimeve financiare dhe kërkesave për paga jubilare, ku pjesa më e madhe ishte për shujta dhe transport për implementimin e kontratës kolektive, si dhe pagesave ndaj furnitorëve.

“Pagesat e realizuara përmes vendimeve gjyqësore, vështirësojnë realizimin e buxhetit sipas planifikimeve respektivisht implementimin e projekteve, po ashtu krijojnë kosto shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe interesit”, thotë Auditori.

Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Gjakovës mund ta gjeni KËTU.