Gjakova (Ilustrim)

Auditori: Komuna e Gjakovës eliminoi padrejtësisht një kompani nga tenderi, zgjodhi fituese një tjetër me 49 mijë euro më shtrejntë

Raporti i Auditorit për vitin 2020 ka gjetur se Komuna e Gjakovës ka eliminuar padrejtësisht një kompani nga një tender publik dhe ka zgjedhur fituese një kompani tjetër me çmim rreth 49 mijë euro më të lartë.

Auditori ka gjetur se në tenderin ‘Sanimi dhe ndërtimi i rrugëve dhe insfrastrukturës nëntokësore në qytetin e vjetër’, janë kërkuar dëshmitë lidhur me mundësitë teknike dhe profesionale siç janë lista e kontratave në 3 vitet e fundit duke saktësuar titullin e kontratës, shumën, datën dhe përfituesin, duke bashkangjitur certifikatat dhe kryerjen e punimeve.

Gjithashtu në kuadër të pajisjeve është kërkuar në mes tjerash edhe dy minieskavatorë.

Tutje, Auditori thotë se komisioni i vlerësimit në raportin e datës 18 qershor 2020 ka vlerësuar se nga tre ofertues, dy prej tyre kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Nga ofertuesi me çmimin më të ulët prej 378,253.00€, me dt.11.06.2020 Komuna ka kërkuar informata shtesë brenda dy ditëve, të qartësoj se çfarë lloj sanime, ndërtime, asfaltimeve apo kubzimeve të rrugëve kishin bërë”, thuhet në Raport.

Gjithashtu, sipas Auditorit, është njoftuar se kompanisë në fjalë i mungon dëshmia për të paktën dy mini eskavatorë, ashtu siç është kërkuar në tender. Sipas Raportit, pasi nuk ka pranuar përgjigje, Komuna ka eliminuar këtë kompani dhe me datë 24 qershor 2020 ka nënshkruar kontratë me kompaninë tjetër ofertuese me vlerë prej 428,077.00 euro apo me çmim më të lartë prej 49 mijë e 824 euro.

Auditori thotë se ka ekzaminuar dokumentacionin e kërkuar për tenderuesin e eliminuar dhe ka konstatuar se informatat shtesë të kërkuara nga Komuna, veç ekzistonin në dosjen e tenderit të ofruar.

“Kërkesa për informata shtesë e bërë nga AK gjatë procesit të vlerësimit është në kundërshtim me kërkesat në dosjen e tenderit sepse komuna nuk kishte specifikuar punët për shtrimin me kubëza apo asfalt dhe kjo nuk specifikohet as në titullin e kontratës, derisa ekzistonin dëshmitë për posedimin e dy mini eskavatorë të bashkangjitura ne dosjen e këtij ofertuesit”, thuhet në Raport.

Sipas Raportit të Auditorit, kjo gjendje është shkak i përcaktimit të paqartë të kritereve bazë dhe vlerësimit jo të drejtë të ofertave.