Auditori: Komuna e Deçanit pati keqklasifikim të shpenzimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Deçanit ka pasur keqklasifikim të shpenzimeve, nga kategori ekonomike jo adekuate.

Në Raportin e Auditimit për Komunën e Deçanit për vitin 2021, thuhet se Komuna ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë prej 62 mijë e 203 euro nga kategoritë ekonomike jo adekuate.

Këto pagesa, sipas ZKA-së, janë kryer nga Thesari në bazë të vendimeve gjyqësore dhe kanë të bëjnë me konspensimin e pagave jubilare dhe përcjellëse, me rastin e pensionimit të punonjësve si dhe me borxhet ndaj furnitorëve të ndryshëm.

Konkretisht, nga kategoria e subvencioneve ishin paguar 28 mijë e 990 euro për investime kapitale, lidhur me borxhet ndaj furnitorëve. Si dhe në një rast tjetër ishin paguar 18 mijë e 50 euro, nga kategoria mallrat dhe shërbimet, po ashtu lidhur me borxhet ndaj furnitorëve.

Ndërsa nga kategoria e investimeve kapitale ishin paguar 11 mijë e 150 euro për paga jubilare dhe të pensionimit, që sipas Auditorit, kanë buruar nga obligimet e kontratave kolektive.

Po ashtu, Auditori thekson se nga investimet kapitale ishin paguar edhe një shumë tjetër prej 4 mijë eurove, për mallra dhe shërbime.

Auditori thotë se këto keqklasifikime kanë ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të buxhetit nga ana e komunës dhe mos aprovimit të kërkesave buxhetore të komunës nga Ministria e Financave.

“Kryetari duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit (apo të ridestinohen mjetet kur është e nevojshme dhe e mundshme) dhe që pagesa e regjistrimi i shpenzimeve bëhet në mënyrë strikte sipas kodeve ekonomike adekuate”, është rekomandimi i Auditorit për komunën e Deçanit.

Raportin e plotë për Komunën e Deçanit mund ta gjeni KËTU.