Auditori gjen parregullsi në një tender të Komunës së Gjakovës: Pagoi çmime abnormalisht të larta

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Gjakovës në një tender publik ka paguar çmime abnormalisht të larta dhe ndryshe nga se ishin kontraktuar.

Sipas Raportit të Auditimit për Komunën e Gjakovës për vitin 2020, Komuna ka nënshkruar me datë 16 korrik 2020 kontratën për ‘Ndërtimi dhe sanimi i rrugëve me kubëza betoni’, në vlerë 626,653.00 euro, me afat dy vjeçar.

Realizimi total i kontratës në vitin 2020 ishte në vlerë 410,329.00 euro apo 65%.

Auditori ka gjetur se çmimi për pozicionet 1 deri 14 të këtij tenderi, ekziston shpërputhje ndërmjet çmimeve të kontraktuar dhe atyre të parallogaritura në paramasë.

“Në tabelën e mëposhtme kemi prezantuar çmimet abnormalisht më të larta për dy pozicione me diferencën më të madhe dhe për dy pozicione tjera me çmime abnormalisht më të ulëta me diferencën më të madhe”, thuhet në Raport.

Sipas Auditorit, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i kujdesit jo të duhur nga ana e komisionit vlerësues dhe menaxherit të prokurimit.

Tutje, Auditori ka thënë se mangësitë e identifikuara në lidhje me çmimet, ndikon që buxheti të harxhohet në fillim të projektit dhe rrit rrezikun e dëmtimit buxhetor.

“Kryetari të sigurojë përmirësimin e kontrolleve të brendshme në procesin vlerësimit të drejtë të çmimeve të njësive në kuadër të ofertave tenderuese sipas çmimeve të përllogaritura në paramasë, apo edhe manualeve me çmimet referente për njësi të publikuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, çmimeve të tregut dhe çmimeve tjera indikative zyrtare”, thuhet në Raportin e Auditorit.