Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Auditori gjen mangësi në njoftimin e kandidatëve për test dhe intervista në Bifurkacion

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka njoftuar se në tre procese të rekrutimit “Zyrtar Kryesorë i Financave dhe Thesarit”, “Zyrtar i Auditimit të Brendshëm” dhe për pozitën “Mikrobiolog”, në KRU Bifurkacioni nuk kishte dëshmi për mënyrën se si janë ftuar kandidatët në test me shkrim dhe në intervistë.

“Kjo ka ndodhur si shkak i mos aplikimit të drejtë të kërkesave të udhëzuesit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit”, thuhet në raport.

Sipas “Udhëzimit Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik”, nr. 07/2017, neni 8, kërkohet që mënyra e njoftimit të kandidatëve për test të jetë me shkrim.

Mungesa e dëshmive se si janë ftuar kandidatët në test me shkrim dhe intervistë sipas auditorit është rrezik potencial që të mos informohet ndonjë nga kandidatët për pjesëmarrje në të gjithë procesin e rekrutimit.

ZKA i ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë mënyrën e njoftimeve, lidhur me aplikuesit për punësim, të jenë në harmoni me udhëzimin administrativ që rregullon procedurat e konkursit në sektorin publik.

Gjithashtu, në konkursin “Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit” auditori kishte gjetur se edhe përkundër vendimit që Komisioni ishte caktuar në përbërje prej kryesuesit dhe dy anëtarëve, vlerësimi i testit me shkrim dhe ai i intervistave ishte kryer vetëm nga dy anëtarët e Komisionit. Ndërsa, procesverbali i procesit të rekrutimit ishte nënshkruar nga të tre anëtarët e caktuar sipas vendimit.

Sipas auditorit mungesa e njërit nga anëtarët për vlerësimin e kandidatëve, nuk siguron transparencën e duhur në përzgjedhjen e kandidatit për pozitën përkatëse dhe mund të rezultojë në vlerësim jo të drejtë.

Auditori I ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë që vlerësimi i kandidatëve bëhet nga komisioni i përbërë prej tre anëtareve, duke siguruar kështu proces transparent dhe të drejtë për të gjithë kandidatët.

Me këto dy gjetje janë pajtur dhe menaxhmenti i kompanisë.