Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Auditori gjen 'mal’ shkeljesh në Ujësjellësin 'Bifurkacioni'

Auditori ka evidentuar një ‘mal’ me shkelje në pasqyrat financiare të vitit 2019 të kompanisë Së ujësjellësit “Bifurkacioni”.

Janë konstatuar shkelje në punësime, tender e gabime në pasqyrat financiare.

Zyra Kombëtare e Auditorit, në raportin për vitin 2019 ka dhënë opinion të kundërt, në pasqyrat financiare për të cilat thuhet se nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare deri më 31 dhjetor 2019 si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2019.

Ky opinion është dhënë meqë janë konstatuar transaksionet të parregullta.

“Kompania procesin e vlerësimit të aseteve për herë të fundit e kishte realizuar në vitin 2007. Si rezultat i kësaj në regjistrin kontabël të aseteve, figurojnë një numër asetesh (444 sosh), me kosto të përvetësimit në shumën 897,767 euro, e që janë të zhvlerësuara në tërësi dhe të regjistruara me vlera zero. Këto pasuri janë ende aktive dhe për të njëjtat, nuk ishte bërë ri-vlerësimi dhe rishikimi i jetëgjatësisë së tyre”, thuhet në raport.

Çështja e rivlerësimit të aseteve, sipas ZKA-së është trajtuar edhe në raportin e auditimit financiar për vitin 2018, mirëpo sipas zyrtarëve të Kompanisë, mungesa e burimeve financiare dhe afarizmi me humbje kanë ndikuar në mos marrjen e veprimeve për një procedurë të tillë.

Auditori kishte gjetur se shpenzimet e zhvlerësimit janë nënvlerësuar për 8,721 euro.

“Ky nënvlerësim ka ndikim në pasuritë neto, fitimin/ humbjen dhe fitimet e mbajtura të Kompanisë”, thuhet në raport.

Kompania e ka fryrë edhe borxhin që ja kanë ATK-së. Sipas raportit kompania, detyrimet për TVSH i kishte prezantuar në shumën prej 396,392 euro, ndërsa auditori ka konfirmuar se Kompania është kreditore ndaj Administratës Tatimore për shumën 24,386€, për këtë llogari tatimore.

“Diferenca ndërmjet shumës së prezantuar në bilancin e gjendjes dhe detyrimit të konfirmuar, në shumën prej 372,005.47 euro, është shumë për të cilën janë mbivlerësuar detyrimet afatshkurtra”, thuhet në raport ku shpjegohet se kjo ka ndodhur si rrjedhojë e mos harmonizimit për vite me radhë të TVSH-së në regjistrat kontabël me gjendjen e deklarimeve dhe borxheve ndaj Administratës Tatimore.

Në raport thuhet se “Detyrimet ndaj granteve” ishte prezantuar në shumën 5,076,691 euro, shumë kjo e mbivlerësuar për 1,727,052 euro. Kurse, llogaritë e pagueshme tregtare sipas auditorit janë të nënvlerësuara për 10,268 euro.

“Kjo shumë e nënvlerësuar rrjedhë si pasojë e gabimeve teknike të bartura nga vitet e mëparshme. Për më tepër, nga 21 raste të testuara, për nëntë prej tyre në vlerë 13,048 euro, nuk kemi gjetur dëshmi burimore – fatura apo kontrata që e mbështesin detyrimin e Kompanisë ndaj furnitorëve. Mungesa e dokumenteve burimore për të pagueshmet, ndikon në besueshmërinë e informacionit financiar dhe prezantim jo të saktë të obligimeve në pasqyrat financiare”, thuhet tutje.

Auditori ka dhënë një sërë rekomandimesh për bordin e drejtorëve, ku thuhet se bordi duhet të sigurojë një rishikim gjithëpërfshirës të regjistrit të pasurisë dhe veprime konkrete për rivlerësimin dhe rishikimin e jetës së dobishme të pasurive.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë prezantimin e saktë të detyrimit ndaj granteve dhe të hyrat nga grantet në pasqyrat financiare si dhe zbatimin e harmonizimeve periodike në mes të regjistrave kontabël për grantet me të ardhurat e shtyra”, thuhet në raport.

Auditori i ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë se është bërë një analizë e shkaqeve të cilat kanë ndikuar në modifikimin e opinionit dhe të ndërmerren veprime për t’i adresuar këto shkaqe në mënyrë sistematike.

Kjo qasje sipas auditorit do të parandalonte gabimet në pasqyrat financiare vjetore duke siguruar kështu një pamje të drejtë dhe të vërtetë të tyre.

Ndërsa përgjigjja e menaxhmentit ishte se “pajtohen me të gjitha çështjet tek baza për opinion”.

Matja e prodhimit të ujit me metodën e “tahminit”

Auditori ka gjetur se Kompania Bifurkacioni nuk e ka informata të sakta për sasinë e ujit që prodhon, pasi nga 15 qendra të përpunimit të ujit/rezervuarëve, vetëm në qendrën kryesore ka të vendosur ujëmarës për matjen e ujit të prodhuar. Qendra kryesore, sipas Auditorit, përbën 66 për qind të zonës së shërbimit ndërsa pjesa tjetër në shkallën 34 për qind nuk dihet sasia e prodhimit të ujit meqë vlerësimi i sasisë së prodhimit bëhet me ‘tahmin’.

Auditori thotë se Bifurkacioni është e obliguar, në bazë të ‘rregullorës për Standardet Minimale të Ujit në Kosovë’ të ketë pajisje për matjen e ujit në të gjitha daljet e fabrikës/puseve për përpunimin e ujit të pijshëm.

“Mos vendosja e ujëmatësve në të gjitha qendrat e përpunimit dhe prodhimit të ujit, përveç që është në kundërshtim me kërkesat e rregullores së autoritetit rregullator të ujit, ndikon edhe në prezantim jo të saktë të humbjeve të ujit”, thuhet në raport.

Auditori rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë se janë vendosur ujëmatës në të gjitha qendrat e përpunimit dhe prodhimit të ujit, dhe përmes kësaj të konstatohet humbja e saktë e ujit, në mënyrë që të mundësohet marrja e masave për shkaqet tjera të humbjeve të ujit.

Menaxhmenti sipas këtij raporti është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit.

Sipas raportit të auditorit të hyrat e realizuara në KRU Bifurkacioni ishin në vlerë 2,402,109 euro.

“Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe mbledhje të ujërave të zeza në komunat Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit”, thuhet në raport. 

18 pozita të punës nuk janë parapara me rregulloren

Auditori ka gjetur shkelje në rekrutim në këtë ndërmarrje, meqë tetëmbëdhjetë pozita aktuale të punës në KRU Bifurkacioni, nuk janë të parapara me rregulloren për paga dhe mëditje.

Testet e auditorit të përgjithshëm tregojnë se tetë prej këtyre pozitave janë paraparë me organogram kurse, nëntë pozita aktuale nuk janë paraparë as me rregullore e as në organogram.

Gjithashtu, në zyrën e formuar në Han të Elezit dhe katër pozitat e punës për këtë zyre, nuk janë paraparë në rregullore dhe në organogram.

“Kjo ka ndodhur për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme të Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit, në azhurnimin dhe plotësimin e rregulloreve dhe organogramit konform nevojave aktuale të ndërmarrjes”, thuhet në raportin e auditorit për vitin 2019.

Sipas auditorit shpenzimet e pagave ishin 1,229,588 euro.

“Numri i të punësuarve në fund të vitit ishte 201. Gjatë vitit ishin punësuar tre punonjës të rinj”, thuhet në raport.

Sipas auditorit punësimi i punonjësve, për pozita të punës që nuk ishin të parapara në rregullore dhe organogram, rrit rrezikun që punonjësit e pranuar të jenë kompetent, në mungesë të kritereve dhe kushteve të përcaktuara për këto pozita dhe kjo pastaj mund të ndikoj në mos arritjen e objektivave të ndërmarrjes.

Auditori rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë që rregulloret dhe organogrami, rishikohen në baza të rregullta kohore dhe azhurnohen e plotësohen konform nevojave reale dhe aktuale të Kompanisë.

Për këto të gjetura dhe rekomandime menaxhmenti është pajtuar.

Përveç kësaj, ZKA ka gjetur se kompania kishte paguar 24,986 euro me shumë se sa do të duhej të paguhet përvoja e punës sipas rregullores.

“Kjo kishte ndodhur pasi që departamenti i burimeve njerëzore kishte aplikuar gabimisht normën 0.5% duke u thirrur në vendimin e Qeverisë Nr.06/29, të vitit 2015, i cili është obligativ vetëm për organizatat buxhetore”, thuhet në raport.

Sipas auditorit mos harmonizimi i pagesës së përvojës së punës, me rregulloren e brendshme për paga, ndikon në rritjen e shpenzimeve më të mëdha se që janë parashikuar, krijon parakushte për anashkalimin e rregullores me rastin e trajtimit të rasteve tjera dhe rrit mundësinë shpenzimeve për paga që nuk janë të parapara me rregullore.

Konkursi “pa letra”

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se punësimet në pozita të larta të ndërmarrjes janë bërë pa lënë gjurmë.

Në tri konkurse për pozitat: “Zyrtar Kryesorë i Financave dhe Thesarit”, “Zyrtar i Auditimit të Brendshëm” dhe për pozitën “Mikrobiolog”, KRU Bifurkacioni nuk kishte dëshmi për mënyrën se si janë ftuar kandidatët në test me shkrim dhe në intervistë.

“Kjo ka ndodhur si shkak i mos aplikimit të drejtë të kërkesave të udhëzuesit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit”, thuhet në raport.

Sipas “Udhëzimit Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik”, nr. 07/2017, neni 8, kërkohet që mënyra e njoftimit të kandidatëve për test të jetë me shkrim.

Mungesa e dëshmive se si janë ftuar kandidatet në test me shkrim dhe intervistë sipas auditorit është rrezik potencial që të mos informohet ndonjë nga kandidatet për pjesëmarrje në të gjithë procesin e rekrutimit.

ZKA i ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë mënyrën e njoftimeve, lidhur me aplikuesit për punësim, të jenë në harmoni me udhëzimin administrativ që rregullon procedurat e konkursit në sektorin publik.

Gjithashtu, në konkursin “Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit” auditori kishte gjetur se edhe përkundër vendimit që Komisioni ishte caktuar në përbërje prej kryesuesit dhe dy anëtarëve, vlerësimi i testit me shkrim dhe ai i intervistave ishte kryer vetëm nga dy anëtarët e Komisionit. Ndërsa, procesverbali i procesit të rekrutimit ishte nënshkruar nga të tre anëtarët e caktuar sipas vendimit.

Sipas auditorit mungesa e njërit nga anëtarët për vlerësimin e kandidatëve, nuk siguron transparencën e duhur në përzgjedhjen e kandidatit për pozitën përkatëse dhe mund të rezultojë në vlerësim jo të drejtë.

Auditori I ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve të sigurojë që vlerësimi i kandidatëve bëhet nga komisioni i përbërë prej tre anëtareve, duke siguruar kështu proces transparent dhe të drejtë për të gjithë kandidatët. Me këto dy gjetje janë pajtuar dhe menaxhmenti i kompanisë.

Operon me humbje, por ndanë 7 mijë euro për stimulim të punonjësve 

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2019, për kompaninë Bifurkacioni kishte gjetur se me rastin e festës së Vitit të ri, të gjithë punonjësve ju kishte ndarë nga 30 euro neto pa obligim kthimi, ndërsa shuma totale e arrinte shumën 6 mijë e 994 euro.

Sipas raportit kjo ndarje e mjeteve ka të bëjë me përpjekjen për krijimin e një atmosfere stimuluese pozitive për performancë më të mirë për vitin vijues.

Ndarja e mjeteve financiare për punonjësit, në situatën kur Kompania operon me humbje, sipas auditorit ndikon në thellimin e më tejshëm të humbjeve të Kompanisë dhe është shembull jo adekuat për të stimuluar përmirësimin e performancës.

Auditori rekomandoi Bordin e Drejtorëve që të sigurojë se ndarja e mjeteve financiare, në emër të stimulimit të punonjësve, të bëhet vetëm kur Kompania ka fuqinë e duhur financiare.

Kompania Bifurkacioni më mangësi të shumta në aktivitete të prokurimit

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për vitin 2019, kishte bërë disa gjetje në aktivitete të prokurimit në Kompaninë Bifurkacioni.

Auditori kishte gjetur se kjo ndërmarrje, ka aplikuar ndarje të tenderëve për blerjen e furnizimeve/shërbimeve të njëjta/ndërlidhura, duke përdorur procedurën për vlerë minimale dhe vlerë të vogël.

Sipas auditorit ndërmarrja për këto blerje do duhej të zhvillonte procedura të hapura të prokurimit sipas kufirit të vlerës së përcaktuar me legjislacion.

“Tri kontrata për furnizim me pompa drenazhi dhe pompa zhytëse, në vlerë të përbashkët 2,714 euro, tri kontrata për furnizim me inventar, në vlerë të përbashkët 2,680 euro, katër kontrata për riparime të automjeteve, në vlerë të përbashkët 3,120 euro, dy kontrata për sigurimin e automjeteve, kontrollimin teknik dhe regjistrimin e automjeteve, në vlerë të përbashkët 14,593 euro, tri kontrata për furnizim me printer dhe pajisje të teknologjisë informative, në vlerë të përbashkët 2,197 euro dhe dy kontrata për furnizim me lëndë djegëse për ngrohjen e objekteve, në vlerë të përbashkët 4,700 euro”, thuhet në raport.

Auditori shton se ndarjet dhe shmangiet e procedurave të përshtatshme të prokurimit reflektojnë me mungesë transparence dhe kufizim të konkurrencës, duke rrezikuar edhe aspektin kualitativ të furnizimeve të pranuara për paranë e shpenzuar.

ZKA rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë një planifikim të drejtë dhe të saktë, duke evituar çfarëdo ndarje të aktiviteteve të njëjta të prokurimit, ashtu që të sigurohet blerje efikase dhe të mundësohet në këtë formë respektimi i kërkesave ligjore për paranë e shpenzuar.

Gjithashtu, kjo ndërmarrje, nuk kishte respektuar afatet kohore ligjore për vlerësimin e tenderëve.

Auditori kishte gjetur se në katër procedura të prokurimit nga dhjetë të testuara, kishte vonesa për fillim të procesit të vlerësimit të tenderëve nga dy deri në tetë ditë vonesë.

Raporti tregon se sipas pohimeve të zyrtarit të prokurimit, formimi i komisioneve vlerësuese është bërë gjithmonë brenda afateve kohore ligjore, dhe se obligimi i komisionit ishte të filloj vlerësimin me kohë, mirëpo vonesat në këto raste janë të pajustifikueshme vetëm për komisionin.

ZKA vlerëson se vonesat në fillimin e vlerësimit të tenderëve, rrezikojnë me vlerësim jo të duhur, për shkak të presionit të afatit më të shkurtër kohor dhe kjo mund të shpie edhe në gabime, që mund të pasojnë me ankesa të operatorëve ekonomik.

Auditorit i rekomandon Bordit të Drejtorëve të sigurojë se Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit ushtron mbikëqyrje efektive ndaj komisioneve të vlerësimit, në mënyrë që të evitohen rastet e vonesave në vlerësimin e tenderëve.

Po ashtu ndërmarrja Bifurkacioni kishte shpërblyer me kontratë operatorët ekonomik, të cilët nuk kishin dorëzuar të gjitha kërkesat e parashtruara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë për aktivitetet e prokurimit.

“Operatori ekonomik fitues i kontratës ‘Ndërtimi i katit të 1-rë të aneksit të objektit të dytë të administratës së KRU Bifurkacioni’, nuk kishte dorëzuar letër referencë apo raport të pranimit teknik që do të dëshmonte realizimin me sukses të një kontrate të natyrës së ngjashme në vlerë prej jo më pak se 50,000 euro. Operatori ekonomik fitues i kontratës ‘Pastrimi i puseve të ujësjellësit të fshatrave Gurëz-Komogllavë Ri-Tender II’, nuk kishte dorëzuar letër referencë apo raport të pranimit teknik për të dëshmuar realizimin me sukses së paku të një kontratë të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit. Përveç kësaj, nuk kishte dorëzuar dëshmi të librezave për pronësinë dhe vlefshmërinë e regjistrimit të pajisjeve teknike në dispozicion për ekzekutimin e projektit”, thuhet në raport.

Vlera e përbashkët për dy kontratat e shpërblyera sipas auditorit është 40,640 euro.

“Kjo situatë kishte ndodhur nga pakujdesia e anëtarëve të komisionit të vlerësimit dhe mungesës së mbikëqyrjes së procesit të vlerësimit nga njësia e prokurimit”, thuhet në raport.

Shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm, sipas auditorit rrezikon përmbushjen e kontratave sipas kërkesave të specifikuara në dosjen e tenderit dhe si rrjedhojë mund të shpie edhe në dëme financiare për kompaninë. Menaxhmenti sipas auditorit nuk ishte pajtuar me pjesën e parë të gjetjes.

Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se në Kompaninë Bifurkacioni Auditimi i Brendshëm kishte një shkallë të ulët të realizimit të planit të auditimit, ku prej tetë raporteve të planifikuara kishte arritur t’i përfundoj vetëm dy apo 25 për qind të raporteve të planifikuara.

Në raport thuhet se kjo ka ndodhur si shkak i mos funksionimit efektiv të NjAB-së dhe mungesës së mbikëqyrjes nga Komitetit i Auditimit.

“Kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive që mund të rezultojnë me humbje financiare për ndërmarrjen”, thuhet në raport.

Si gjetje tjetër e ZKA-së njësia e auditimit të brendshëm nuk ka politika dhe procedura të hartuara që rregullojnë procesin e auditimit të brendshëm. Kjo sipas auditorit ka ndodhë si rezultat i mungesës së iniciativës nga kjo njësi.

Raporti i auditorit tregon se në mungesë të këtyre politikave dhe procedurave, NJAB-së mund të bëjë anashkalime të praktikave profesionale të auditimit të brendshëm dhe rrjedhimisht të mos arrijë t’i shërbejë qëllimit për të cilin është formuar kjo njësi.

Auditori i rekomandon Bordit i Drejtorëve të sigurojë që janë ndërmarrë hapa konkret për hartimin e politikave dhe procedurave që udhëzojnë ushtrimin e aktiviteteve të AB-së.

Gjithashtu, Auditori kishte gjetur se për vitin 2019, Komiteti i Auditimit nuk kishte funksionuar në mënyrë efektive përderisa kishte mbajtur vetëm dy takime.

“Kjo kishte ndodhur si shkak i interesimit jo të mjaftueshëm të Komitetit të Auditimit për të dhënë kontributin në përmirësimin e kontrolleve të brendshme, qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e rrezikut në ndërmarrje”, thuhet në raport.