37 profesorë të Universitetit të Prishtinës janë të angazhuar edhe universitete të tjera publike

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar 37 profesorë të cilët kanë marrëdhënie të rregullt pune me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë të angazhuar me punë sekondare edhe në universitetet e tjera publike.

Për këto angazhime, këta profesorë nuk kanë marrë miratimet paraprake nga rektori i UP-së.

Rregullorja për të ardhura personale të personelit akademik, e datës 11 shtator 2017, përcakton se: personeli akademik në marrëdhënie të rregullt pune në UP mund të angazhohet me honorar në institucionet tjera, pasi të ketë marrë pëlqimin paraprak nga Dekani dhe miratimin nga rektori i UP-së.

Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak se profesorët nuk kishin kërkuar miratim për punë sekondare nga menaxhmenti i UP-së në njërën anë, dhe për shkak të monitorimit të dobët nga ana e menaxhmentit të UP-së ndaj personelit akademik në anën tjetër.

“Angazhimet e profesorëve për punë shtesë pa marrë miratimin e menaxhmentit, përveç se është në kundërshtim me kërkesat e rregullores për të ardhurat personale të personelit akademik, rritë rrezikun e humbjes së cilësisë në procesin arsimor për shkak të angazhimeve të shumta të personelit akademik”, theksohet në raportin e auditimit për Universitetin e Prishtinës për vitin 2020.

Auditori ka rekomanduar që rektori duhet të rishikojë të gjitha rastet e identifikuara të angazhimit të stafit në punë sekondare pa marrë aprovimet paraprake dhe të marrë masa përkatëse ndaj të gjithë personelit që nuk i zbaton rregulloret e brendshme.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës.