“Atomi’, një Tjetër Sukses Ndërkombëtar pa Përkrahje Shtetërore

Instituti “ATOMI”, që i solli Kosovës një sukses tjetër ndërkombëtar, rrezikon të shuhet si pasojë e mungesës së përkrahjes financiare nga institucionet shtetërore.

Ky institut që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme   është bërë anëtar i Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve me certifikim nga Këshilli Evropian për Aftësim të Lartë.

Me gjithë këtë sukses, Drejtori Ekzekutiv i këtij instituti, Jusuf Thaçi ka treguar për vështirësitë financiare me të cilat përballet ky institut, për të cilin sipas tij nuk ka dhënë përkrahje financiare MASHT-i.

“ATOMI ka disa muaj që është në vështirësi financiare për shkak se për fat të keq i mungon mbështetja financiare nga institucionet shtetërore përkatësisht nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë megjithëse ne kemi bërë kërkesë për përkrahje dhe ministria ka premtuar disa herë publikisht për përkrahje , deri më tani nuk kemi përgjigje përfundimtare” , tregon Thaçi.

Kërkesa për financim i është dërguar Ministrisë së Arsimit në qershor të vitit të kaluar dhe deri më tani sipas Thaçit nuk ka përgjigje zyrtare.

KALLXO.com nuk ka mundur të marrë përgjigje  nga zyrtarët e MAShT-it, të cilët u zotuan se do të prononcohen për këtë temë ditëve në vijim.

Nait Vrenezi, profesori i psikologjisë që mbikëqyr profesionalisht  institutin e ka vlerësuar certifikimin si hapje e dyerve për depërtim ndërkombëtar.

“Kjo mirënjohje, certifikimi i institutit si pikë evropiane për përkrahjen e talenteve është obligim për ne por edhe një shans që të krijojë edhe lidhje të reja bashkëpunimi dhe të zhvillojë bashkëpunimin edhe me pikat dhe qendrat e tjera të Rrjetit Evropian për Përkrahjen e Talenteve”,  tha Vrenezi.

Ndërsa për drejtorin, Thaçi, është dëshmi e punës së bërë na stafi dhe anëtaret e institutit “ATOMI”

“Tashmë ATOMI ka njohje ndërkombëtare edhe në nivel evropian edhe në nivel ndërkombëtar dhe kjo është dëshmia më e mirë që ATOMI gjatë këtyre viteve ka bërë një punë shumë të mirë në përputhje me standardet dhe kriteret më të larta evropiane, ndërkombëtare”, deklaroi Thaçi.

“ATOMI” është themeluar në vitin 2011 me qëllim të përkrahjes së personave me aftësi dhe talente të jashtëzakonshme dhe pjesëmarrjen e tyre nëpër gara ndërkombëtare.

22 Prill 2016 - 18:31

Doruntina Baliu 22/04/2016 - 18:31
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend