ATK shënoi rritje të të hyrave në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019

Administrata Tatimore e Kosovës në 6 mujorin e parë të vitit 2019 ka shënuar rritje të të hyrave dhe rritje të aktiviteteve të konfiskimit të pasurisë.

Në 6 mujorin e parë ATK ka zhvilluar 155 raste të procesit të konfiskimeve ku nga këto aktivitete janë mbledhur 2.7 milionë euro.

Kështu tha drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj në një  konferencë për medie.

“Për ATK-në pjesa e parë e këtij viti ishte periudhë me sfida, gjatë kësaj kohe janë zhvilluar një sërë akivitetesh. Për këtë periudhe kemi zhvilluar 155 aktivitete të procesit të konfiskimit të pasurisë, kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë e ATK-së”, tha ai.

Tutje Murtezaj tregoi se ka pasur edhe hyrje të të hyrave në krahasim me vitet e tjera.

“Gjatë kësaj periudhe një ndër objektivat kryesorë ka qenë ofrimi i lehtësirave për tatim paguesit, në periudhën janar-qershor 2019 të hyrat vjetore nga tatimet kanë qenë 239.5 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtët të vitit te kaluar kanë qenë 219.9 milionë euro”, tha Murtezaj.

Drejtori i ATK-së poashtu tregoi edhe për aktivitetet ndaj bizneseve që ju kanë shmangur tatimin, ku shtoi se deri më tani janë zhvilluar 81 aktivitete.

“Një fenomen që na atakon si shoqëri është pjesa e ekonomisë joformale. Zyrtarët e ATK me qëllim të gjetjes së shmangies  së tatimit. Departamenti i hetimeve tatimore dhe Inteligjencës ka zhvilluar 81 aktivitete, 23 raste të hapura nën dyshim të shmangies, dhe  4.58 milionë euro vlera e shmangies tatimore”, tha ai.

Ai përmendi edhe procesin e fiskalizimit të bizneseve, për të cilin tha se janë 9 operatorë të autorizuar.

“Aktualisht kemi 6 operator ekonomik të autorizuar, ku 4 prej tyre janë me të drejtë shitjeje.  Kemi 31,099.00 biznese të fiskalizuara, ku vetëm 880 janë fiskalizuar për periudhën janar-qershor”, shtoi Murtezaj.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza përgëzoi, ATK-n për suksesin e arritur por shtoi se edhe këtë vit ministria dhe ATK-ja do të kenë fokus luftimin e infomalitetit si dhe krijimin e kushteve për sektorin privat.

“Është rezultat jashtëzakonisht për tu vlerësuar rritja e të hyrave prej 9% në krahasim me vitin e kaluara, kjo është rezultat i rritjes së performancës se ATK-së si dhe edukimit të bizneseve për ti paguar obligimet ligjore. Fokus i joni do të jetë luftimi i informalitetit, sepse nuk ka mundësi që një  tatimi pagues ta marr TVSH nga konsumatori dhe të mos ia paguaj shtetit. Fokus i joni është që ne të krijojmë kushte për sektorin privat, si dhe ta përmirësojmë ambientin e të bërit biznes”, tha Hamza.