????

ATK: Paguani Tatimin në të Ardhura ose Ndëshkoheni

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) i ka kërcënuar të gjithë qytetarët që kanë ardhura nga burime të ndryshme, por që nuk janë duke paguar tatimet e kërkuara me ligjin në fuqi. ATK-ja nëpërmjet një komunikata u ri-kujton të gjithë personat fizik jo afarist, personat fizik afarist dhe personat juridik, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me Legjislacionin Tatimor.

Në komunikatë thuhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë tatimin dhe Kontributet Pensionale.

ATK thotë se do të ndëshkohen ata që nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk paguajnë tatimin.

“Për personat fizik jo afarist, personat fizik afarist dhe personat juridik, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas Legjislacionit Tatimor”, thuhet në komunikatë.

Andaj, ATK, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me Legjislacionin Tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tatimore, sipas ATK  kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore.