Ilustrim - Kuponët fiskal

ATK njofton se kur nis aplikimi për rimbursim nga kuponët fiskalë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë qytetarët se  nga data 1 Prill 2019 mund të aplikojnë për rimbursim nga kuponët fiskalë.

“Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal për TM1/2019, fillon nga data 1 Prill 2019 dhe vazhdon deri me 30 Prill 2019”, thuhet në komunikatën e tyre.

ATK sqaron se aplikimi bëhet duke  plotësuar aplikacionin për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal♪7.

“Aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit”, thuhet në njoftim.

Sipas ATK-së, fituesit potencial  do të rimbursohen me dhjetë përqind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se  njëqind euro (100 €), ndërkaq numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro ( 250€ ).

Shënim nga ATK: kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes me llogarit e tyre bankare, të sigurohen që llogaria të cilën e kanë deklaruar në aplikacion për rimbursim të jetë funksionale. Me qëllim që rimbursimi i mjeteve të bëhet pa problem, ju lutem sigurohuni që llogaria juaj bankare mund të kreditohet sidomos kur është fjala për rimbursim nga kuponët fiskal.

Administrata Tatimore nuk do të merr asnjë përgjegjësi nëse llogaria juaj bankare është e mbyllur apo jo funksionale për çfarëdo arsye që bankat mund të deklarojnë.