Foto: Kallxo.com

ATK në aksion ndaj ‘mobil shop’-ëve në Prishtinë për shmangie nga tatimi

Informacioni se disa dyqane të telefonave mobilë në Prishtinë janë duke iu shmangur obligimeve tatimore i aktivizoi të premten inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Ky informacion fillimisht ishte paraqitur në KALLXO.com, e më pas i është drejtuar Zyrës së Standardeve Profesionale të ATK-së.

Dhjetë inspektorët e Drejtorisë Rajonale ‘Prishtinë 3’, së bashku me Udhëheqësin e tyre Beqir Gashin ia mësynë lagjes Ulpiana në Prishtinë në të cilin operojnë disa biznese që shesin telefona mobilë.

Këtij kontrolli iu nënshtruan rreth 15 biznese të cilat merren me shitblerjen e telefonave.

KALLXO.com në vazhdimësi është duke i trajtuar të gjitha informacionet e qytetarëve e në veçanti ato të cilat kanë të bëjnë me dëmtimin e buxhetit të Republikës, me qëllim të luftimit të evazionit fiskal.

Muaj më parë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Ambasada e Britanisë dhe Democracy Plus kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së shoqërisë civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.