Ilustrim - Kuponët fiskal

ATK me risi në shërbimet e rimbursimit

Kërkesat e qytetarëve për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatimit në të Ardhurat Personale, si dhe Tatimit në të Ardhurat në Korporata do të thjeshtësohen.

Administrata Tatimore e Kosovës përmes sistemit elektronik EDI është duke punuar që të nxjerr modulin e ri të rimbursimit, i cili ka  për qëllim menaxhimin e kërkesave për rimbursim të cilat pranohen në mënyrë elektronike, me deklaratën tatimore të tatimpaguesit.

Sipas ATK-së kjo do të ofrojë lehtësi për tatimpaguesit, shkurtim të kohës dhe zvogëlim të shpenzimeve për tatimpaguesin, si dhe kursim të resurseve njerëzore në ATK.

“Moduli për menaxhimin e rimbursimeve mundëson edhe gjenerimin e raporteve për çdo kërkesë për rimbursim me informata si: NF, emrin e tatimpaguesit, llojin e tatimit, periudhën tatimore, datën e kërkesës, shumën e kërkuar, personit që i është deleguar, datën e delegimit, statusin, datën e aprovimit/refuzimit, shumën e aprovuar, obligimet tatimore, shuma që do t’i transferohet tatimpaguesit si dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit të kërkesës për rimbursim”, sqarohet në njoftimin e ATK-së.