ATK ka inkasuar mbi 211 milionë euro për pesë muaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të inkasojë 211.4 milionë euro për periudhën janar-maj 2019.

Nëse kjo shumë krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar del që janë mbledhur 9.2% apo 17.8 milionë euro më shumë.

“Si rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i vazhdueshëm i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas këtij njoftimi, rol të rëndësishëm në inkasimin e këyre të hyrave ka pasur edhe rritja e aktiviteteve në teren e sidomos ndërmarrja e veprimeve për mbledhjen e borxheve tatimore të pa shlyera të cilat aktivitete janë intensifikuar në masë të madhe e që do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

“Administrata Tatimore do të vazhdojë të punoj në ruajtjen dhe ngritjen e imazhit të një administrate transparente dhe në shërbim të të gjithë tatimpaguesve. Motoja e përgjithshme e punës tonë qëndron në krijimin e një mjedisi, i cili mbështet fuqimisht përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve, dhe mbi të gjitha trajtim i barabartë për të gjithë tatimpaguesit që secili ta paguaj pjesën qe i takon me ligj”, përfundon njoftimi.