ATK ka arritur të siguroj 220 milion euro brenda 6 muajve

Administrata Tatimore e Kosovës, në gjashtëmujorin e vitit 2018-të ka arritur të mbledhë 27 milionë euro të hyra më shumë se vitin e kaluar.

Kjo u bë e ditur në një takim të ATK-së me palët e interesit dhe donatorët, me të cilët u diskutua tema me interes për tatimpaguesit, si dhe u prezantuan të arriturat dhe aktivitetet e realizuara për periudhën janar-qershor 2018.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri tha se ATK ka siguruar të hyra më shumë sesa në vitin e kaluar.

“Jam i bindur që kemi shumë punë për të bërë, por nuk duhet anashkaluar të arriturat me një vlerësim të lartë pozitiv që shihet qartë nga anketa e tatimpaguesve, raporti i Bankës Botërore, Raporti Monitorues i Fondit Kombëtar”, tha Imeri.

Gjatë prezantimit në tabelë e realizimit të të hyrave nga tatimet për vitin 2018 janë arkëtuar 220 milion euro, kurse në të njëjtën kohë në vitin 2017 janë mbledhur 193 milionë euro.

Fatmir Gashi, zëvendësministri i Financave tha se ATK po përmirësohet më shumë dhe sipas tij, Administrata Tatimore e Kosovës është një administratë me të cilën duhet krenuar.

“Mund të them se nga viti në vit është duke u përmirësuar shpërblimi ndaj taksapaguesve. Ministria e Financave në vitin 2018 ka ndërmarrë masa dhe përgjegjësi për sektorin privat dhe jemi të interesuar për të rritur më shumë prodhimin dhe importin e prodhimeve tona”, tha zv. Ministri Gashi.

Ndërsa, Agim Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve tha se qeveria duhet të mendoj një hap për ndëshkimin e humbjes së bazës së tatimeve.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se numri i ankesave i marrë prej bizneseve është i vogël, por ai shtoi se ka ankesa për përpjekje më të shtuar për luftimin e ekonomisë jo formale, e cila i dëmton bizneset e rregullta dhe të përgjegjshme.

Synimet e ATK-së deri në vitin 2020 janë përmbushja e objektivave të parapara me planin vjetor të punës, zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftën kundër ekonomisë joformale, lansimi i faturës elektronike të TVSH-së, ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit rrezik etj..