Mbyllja e Kazinos - Ilustrim

ATK, e gjobit dhe e mbyll kazinon pas raportimit nga KALLXO.com

Pas raportimit të qytetarit në KALLXO.com, dhe adresimit të çështjes në ATK, kjo e fundit ka gjobitur një biznes në Kamenicë, pasi i njëjti zhvillonte veprimtari ilegale të lojërave të fatit.

“Bazuar në informatën e pranuar nga ju, përkatësisht nga “Kallxo.COM” inspektorët e drejtorisë se lojërave të fatit/ATK, kanë ndërmarr aktivitete konform autorizimeve ligjore dhe kanë konstatuar që subjekti në fjalë ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme në njësinë sipas adresës së potencuar”, ka njoftuar ATK në përgjigjet për KALLXO.

ATK në përgjigjet për KALLXO, ka potencuar se subjekti në fjalë është gjobitur më 5 mijë euro pasi ekipet e ATK-së kanë konstatuar se i njëjti ka zhvilluar veprimtari të kundërligjshme.

“Gjatë vizitës në lokal  ishte duke u zhvilluar basti si dhe lojëra ‘KENO’, andaj biznesi është ndëshkuar me gjobë 2000€ dhe 3000€, gjithsej 5000€ gjobë mandatore, kemi konfiskuar pajisjet e bastit si dhe të lojërave ‘KENO’, poashtu kemi mbyllur lokalin duke vendosur shiritin nga ATK-ja”, ka njoftuar ATK.

KALLXO.com kishte pranuar një informacion nga një qytetar ditë më parë se në qytetin e Kamenicës në afërsi të shkollës një biznes është duke zhvilluar veprimtarinë  me lojëra të fatit.

Të njëjtën ankesë të qytetarit, Zyra Ligjore e BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA e kishin raportuar në ATK.

Kjo e fundit pas daljes në teren ka konstatuar se informata e dhënë nga qytetari kamenicas është e vërtetë dhe pas inspektimit në tërësi të biznesit në fjalë, të njëjtin e ka gjobitur, sekuestruar pajisjet dhe ia ka ndaluar ushtrimin e veprimtarisë.