Deputetët Mark Frroku (majtaS) dhe Tom Doshi (djathtas), Foto: Reporter.al/AP

Atentati i sajuar, dënohen Mark Frroku e Durim Bami, Doshi i pafajshëm

Gjykata e Tiranës dënoi ish-deputetin, Mark Frroku për akuzën e “kallëzimit të rremë”, ndërsa shpalli të pafajshëm deputetin Tom Doshi. Durim Bami u gjet po ashtu fajtor. Frroku, Doshi dhe Bami u akuzuan se sajuan akuzën se tani Presidenti i Republikës, Ilir Meta kishte paguar gjysmë milioni euro për të vrarë Doshin.

Gjykata e Tiranës dënoi me 8 muaj burg ish-deputetin Mark Frroku për akuzën e “kallëzimit të rremë”, ndërsa shpalli të pafajshëm deputetin Tom Doshi. Durim Bami, një qytetar nga Fushë-Kruja që mori përsipër rolin e të penduarit në këtë histori u gjet po ashtu fajtor. Frroku, Doshi dhe Bami u akuzuan se sajuan kallëzimin se tani Presidenti i Republikës Ilir Meta kishte paguar gjysmë milioni euro për të vrarë deputetin Doshin dhe po ashtu ish-deputetin e opozitës Mhill Fufi. Avokati i Frroku tha se do të apelonte çështjen, ndërsa ai i Bamit që ka pranuar akuzën tha se do të kërkonte dëmshpërblim pasi klienti i tij vuajti në paraburgim më shumë se sa dënimi i dhënë nga gjykata.

Doshi dhe Frroku u arrestua në mars të vitit 2015 me akuzën për “kallëzim të rremë”, pasi bashkë me Durim Bamin u akuzuan se sajuan një skenar që fajësonte tani Presidentin e Republikës Ilir Meta se kishte synuar të vriste Doshin.

Skenari që shkaktoi mjaft “trazime” politike përfshi protesta të opozitës u shpall i rremë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që atëherë vendosi t’i arrestonte dy deputetët dhe Bamin, i cili luajti rolin e të penduarit në një video të bërë publike nga Doshi, ku shtjellohej një skenar vrasje ndaj këtij të fundit.

Frroku ndërkohë vuajti një dënim për “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjehdur dhe nëpuënsve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ndërtimi i paligjshëm”. Ai u lirua parakohe nga gjykata e Fierit në maj 2018.

Tom Doshi nga ana tjetër është nën gjykim po ashtu për fshehje të pasurisë, ndërsa vetëm pak kohë më parë ai u shpall “persona non grada” nga Departamenti i Shtetit i SHBA.

Në seancën e të mërkurrës gjykata e Tiranës me relator Bledar Abdullai, vendosi të shpallë të pafajshëm tani deputetin e PSD në Shkodër Tom Doshi, të dënojë me 8 muaj burg ish-deputetin Frroku dhe 1 vit burg Durim Bamin.

Ekezekutimi i vendimit për Bamin është shuar nga gjykata, pasi ky i fundit këtë dënim e ka kryer me kohën e qëndrimit në paraburgim. Të tre të pandehurit kishin pranuar gjykimin e shkurtuar në fazën e kërkesave paraprake të gjykimit të dosjes.

Avokati i ish-deputetit Frroku, Tonin Prendi tha për BIRN se ende nuk janë njohur me vendimin e argumentuar të gjykatës, por e cilësoi atë si të padrejtë dhe të sforcuar. “Nuk jam njohur me vendimin e zbardhur. E shikoj dënimin si të padrejtë dhe të sforcuar, pasi klienti im është dënuar për një akuzë që se ka kryer kurrë. Po pres zbardhjen e vendimit dhe shumë shpejt do ankimojmë në Apel, për të kërkuar pafajësi”-thotë Prendi.

Ndërsa avokati i të dënuarit Durim Bami, Ilir Murati tha se klienti i tij e kishte pranuar akuzën gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, duke pohuar se gjithçka ka qënë një sajesë. Murati shtoi se Durim Bumi ka qëndruar i izoluar në fazë paraburgimi për një periudhë gati 3 vjeçare, duke bërë burg më shumë se është dënuar nga gjykata.

“Ne nuk do apelojmë vendimin, se s’kemi çfarë të kërkojmë në Apel. Shumë shpejt do kërkojmë dëmshpërblim dhe kompesim financiar për ditët e qëndrimit në burg, tej dënimit të dhënë nga gjykata, që nga përllogaritjen tona na rezulton se bëhet fjalë për një periudhë prej 2 vjeçare”-tha për BIRN avokati Murati.

Dosja e famshme qëndroi gjashtë muaj e bllokuar në Gjykatën e Lartë dhe më pas ka lëvizur sa atje në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe më pas sërish në Gjykatën e Lartë. Gjithë kjo amulli është krijuar për shkak të dispozitave kalimtare dhe kompetencave lëndore të gjykatave aktuale deri në krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.