Makina e djegur që dyshohet se u përdor nga atentatorët në Vlorë. Foto: Jerola Ziaj

Atentat në Vlorë, plagoset një 41-vjeçar

41-vjeçari i identifikuar si Mikel M. është plagosur rëndë pasi dy persona kanë qëlluar me armë zjarri mbi makinën e tij një Audi me targa “AA 653 VC” në qendër të qytetit të Vlorës.

Një bashkudhëtar i tij i paidentifikuar mendohet se është lënduar, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.

Policia bëri me dije se atentati ndodhi pasditen e të hënës në rrugën “Gjergj Araniti”. Dëshmitarë okularë thanë se dy persona me motor i kanë prerë rrugën makinës tip ‘Audi’ me të cilën udhëtonte i plagosuri dhe një person i dytë.

Nga atentati 41-vjeçari Mikel M. ka marrë plumba në kraharor dhe në bark. Ai po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Vlorës.

“Sot rreth orës 17:40, në lagjen “Pavarësia” dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti e për pasojë ka mbetur i plagosur një 41-vjeçar. Ai po merr ndihme mjekësore në spital” njoftoi policia.

Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe personi i dytë që udhëtonte në mjet, por nuk dihet gjendja shëndetësore e tij pasi nuk është paraqitur në spital.

Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes duke sekuestruar dhe pamjet e sigurisë të një lokali aty pranë që dyshohet të ketë të dhëna dhe detaje që do të mund të çojnë në identifikimin e autorëve të plagosjes.

Në afërsi të stacionit të trenit, Policia ka gjetur duke u djegur një automjet “Mitsubishi”, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre. (reporter.al)