Atashi: Do të rritet numri i zyrtarëve që do ta deklarojnë pasurinë

Demokracia Plus dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN me përkrahje të Ambasadës së Britanisë kanë organizuar tryezën për Integritetin në Administratën Tatimore të Kosovës.

Në tryezë u publikua edhe raporti për të gjeturat nga monitorimi i drejtpërdrejtë i Administratës Tatimore të Kosovës, për periudhën kohore shtator 2018- shkurt 2019.

Drejtor i departamentit të parandalimit të korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Afrim Atashi, tha se Agjencia Kundër Korrupsion e ka shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Administratën Tatimore të Kosovës, për shkak të zyrtarëve që bëjnë deklarim të rrejshëm të pasurisë.

“Një rol kyç në luftimin e korrupsionit në bashkëpunimin tonë e ka edhe ATK. Sa i përket ATK dihet se zyrtarët e deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe deklarojnë në formular të gjithë pasurinë se ku dhe çfarë e kanë. Neve na duhet një bashkëpunim me Administrata Tatimore e Kosovës për shkak se ne duhet të dimë se cilët zyrtarë të lartë e deklarojnë rrejshëm pasurinë që të dimë dhe të ngrisim kallëzime penale”, tha Atashi.

Gjithashtu shtoi se numri i zyrtarëve që do ta deklarojnë pasurinë do të rritet dhe do të trajtohen njëjtë të gjithë zyrtarët publik.

“Çështja e zyrtarëve tjerë, ligji i ri për parandalimin e konfliktit të interesit i përfshinë të gjithë zyrtarët. Do të rritet numri i zyrtarëve që deklarojnë në AKK dhe lista do të ndryshohet. Ndërsa sa i përket konfliktit të interesit, ligji i vjetër nuk i ka trajtuar kurse tash me ligjin e ri trajtohen njëjtë të gjithë zyrtarët publik. Agjencia konsiderohet si shkallë e dytë sa i përket ligjit për sinjalizues dhe po besojmë se kjo sferë do të rregullohet”, shtoi Atashi.

Në këtë tryezë morën pjesë ministri Bedri Hamza, drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj dhe zëvëndësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Tomas Adams, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, OJQ dhe institucione relevante.

Ky raport tregon të gjeturat e monitorimit 7 mujor të procedurave të brendshme të ATK-së. BIRN (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese), Ambasada e Britanisë dhe Democracia Plus, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim rritjen e mbikëqyrjes së Shoqërisë Civile në proceset e Administratës Tatimore.

Një ndër qëllimet tjera të këtij memorandumi të bashkëpunimit në mes të BIRN, Ambasadës Britanike dhe Democracia Plus është edhe angazhimi në luftën e kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe ekonomisë joformale.