Foto: Maja Kocijançiç/BE

Asociacioni, pjesë e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi?

Përcaktimi i një baze të përbashkët për një marrëveshje të ardhshme obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë tema kryesore e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq në takimin më 7 shtator në Bruksel, transmetojnë mediat serbe.

Tanjug shkruan se jo zyrtarisht nuk  përjashtohen mundësinë që elementet e një marrëveshjeje mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe të jetë pjesë e marrëveshjes finale.

Ndërsa BE-ja si një ndërmjetës në dialogun thekson, se përveç fokusit në diskutimet e normalizimit të plotë, duhet të zbatohen edhe të gjitha marrëveshjet e arritura më parë, burime diplomatike në Bruksel thonë se në pjesë të marrëveshjeve të mëparshme, në veçanti atë të Asociacionit të komunave serbe, mund të gjejnë të tilla elemente të një marrëveshjeje për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Në prag të një takimi tjetër Thaçi-Vuçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini, në Bruksel thuhet se të dyja palët janë të angazhuara plotësisht në përcaktimin e një bazë të përbashkët të një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

“Fokusi është në gjetjen e një kompromisi, i cili do të çonte në një normalizim gjithëpërfshirës,” thonë burime diplomatike në Bruksel për Tanjug.

Në qarqet diplomatike evropiane kjo fazë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parë si “intensive”, me qëllim të arritjes së qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do të zgjidhë çështjen e Kosovës, por edhe për të eliminuar pengesën më të madhe në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Në BE, për tani, nuk duan të paragjykojnë se cilat elemente “marrëveshja përfundimtare” mund të përmbajë.

Ideja e ndryshimit të kufijve mund të përmendet në takimin e së premtes në Bruksel, si dhe fakti që ai përmendet gjithnjë e më shumë nga Beogradi, por edhe nga presidenti Hashim Thaçi, si një opsion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Zyrtarët evropianë dolën gjithashtu me pikëpamjet e tyre për këtë çështje, të cilët janë shumë të kujdesshëm për të mbështetur çdo zgjidhje të rënë dakord midis Beogradit dhe Prishtinës. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, para takimit të ri Thaçi-Vuçiq, tha se në tryezën në Bruksel mund të ketë një çështje të formimit të asociacionit.

“Sapo Ekipi Menaxhues na njofton zyrtarisht për statusin e punës së tij mbi Projekt-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, ne do ta transferojmë këtë në nivelin e takimit tjetër në nivel të lartë politik. Sa i kuptojmë, puna është ende në zhvillim e sipër,” tha ajo.