Askush Nuk Premton Rrymë të Mjaftueshme Gjatë Dimrit

Përderisa po vazhdon dita e dytë ku po nënshkruhen peticione në nëntë komuna të Kosovës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë tha se vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është i drejtë.

Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë është mbrojtur edhe nga KEDS e KEK, kompani që janë përgjegjëse për prodhim dhe shpërndarje të energjisë. Kjo e fundit thotë se do ta bëjnë të pamundurën që të ofrojë energji të mjaftueshme për qytetarët.

Por qytetarët edhe sot kanë krijuar radhët në sheshe të qyteteve ku është duke u nënshkruar peticioni kundër vendimit për shtrenjtim.

“Numri i qytetarëve deri më tani që kanë nënshkruar peticionin kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka arritur në 1000”, tha  Arbresha Bytyqi, organizatore e projektit për nënshkrimin e peticionit.

E Ramadan Mehmeti i cili kishte dalë për ta nënshkruar këtë peticion tha se “shtrenjtimi i rrymës është një e padrejtë që po ju behët qytetarëve”.

Ndërsa Arian Zeka, drejtor Ekzekutiv në Oden Ekonomike Amerikane tha se tema e energjisë elektrike është njëra ndër temat më të rëndësishme në këtë periudhë, pasi po afrohet sezoni kur më së shumti konsumatori ka nevojë për energji elektrike, dhe kur çmimet rriten.

Zeka i bëri këto komente gjatë konferencës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rreth furnizimin me energji elektrike dhe energjinë efiçiencë.

“Ka shumë ankesa si nga ana e qytetarëve, si nga ana e bizneseve sepse faturat e energjisë janë të shtrenjta, ndërsa pa qenë shumë shpesh të vetëdijshëm është edhe arsyeja se shumë shpesh faji qëndron tek ne duke mos i ndërruar pajisjet që janë  harxhuese të energjisë elektrike”, tha Zeka.

Burim Kuraja , përfaqësues i Komitetit të Prodhimit të Odes Ekonomike Amerikane, tha se KEDS duhet të punojë në mënyrë që humbjet në rrjet të mos u faturohen konsumatorëve.

Ndërsa përfaqësuesit e ZRrE-së thanë se një përcaktim i një çmimi të tillë të energjisë elektrike është në standard me kërkesat dhe nevojën.

Përcaktimi i këtij çmimi ka qenë i atillë që t’i mbulojë të gjitha kërkesat dhe nevojat për ta mbajtur sistemin në një gjendje stabile, duke i marrë parasysh reduktimet minimale të cilat kanë qenë deri më tani. Po të mos ishte caktuar një çmim i tillë pak më i lartë, atëherë do të kishim reduktime shumë më të larta të cilat kishin me dëmtuar më së tepërmi ekonominë por edhe vetë konsumatorin”, tha Rifat Blakaj nga ZRrE.

Arben Gjukaj , drejtor menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës, tha se shkak i mangësive të prodhimit është edhe shpërthimi që ka ndodhur më 6 qershor në KEK. Kjo, sipas tij, ka zvogëluar konsumin dhe se KEK-u mund ta mbulojë vetëm 82 për qind të konsumit të Kosovës.

Ai tha se tani edhe blloqet kanë filluar të vjetrohen, përfshirë këtu edhe bllokun B1, i ndërtuar 33 vjet më parë . Ai tha se brenda kësaj jave pritet që ky bllok të kthehet në funksion.

Sipas Gjukajt, deri më 18 dhjetor të këtij viti pritet që njësia A1, dhe A5 të jenë në veprim. Kurse në lidhje me reduktimet e  energjisë elektrike, Gjukaj tha se do të punohet që të ketë energji të mjaftueshme për këtë dimër.

“Brenda kësaj jave do të i drejtohemi Qeverisë së Kosovës, për një ndihmë , flasim tash për KEK-un që sado pak të na mundësoj një operim stabil që ta tejkalojmë krizën  dhe  një situatë në të cilën jemi ka hyjmë, në sezonin e dimrit”, tha Gjukaj.

E drejtori i KEDS, Georgo Kargutoff, tha se kjo kompani do të mundohet që të ofrojë shërbime sa më të mira të furnizimit të konsumatorëve.

“Ne kemi shumë kapacitete rezervë të energjisë elektrike, por nëse diçka shkon keq, atëherë duhet të mendohet që energjia të sigurohet nga larg, dhe duhet që të mundohemi që edhe për të ardhmen këto rezerva të sigurohen”, tha Kargutoff.