Asamblisti i LDK-së bëhet mësues pa konkurs

Asamblistit të LDK-së, Shemsedin Elezit, i është siguruar një vend pune si mësimdhënës zëvendësues në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan.

E për këtë Komuna që udhëhiqet nga Lutfi Haziri i LDK-së është kujdesur që ta emërojë në pozitë pa shpallur konkurs në kohën që është bërë kontrata, më saktësisht më 11 shkurt 2019.

Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Nazmi Gagica, e ka arsyetuar punësimin e Elezit si një urgjencë që Shkolla Ekonomike të mos mbetet pa mësimdhënës.

“Te rasti në fjalë në shkurt ka rastisë që të zgjidhet drejtor një mësimdhënës i Shkollës Ekonomike dhe në momentin që zgjedhet, ai është dashur m’i mbulu orët. Për mos me humb orët, nuk kemi mundur të shpallim konkurs aty për aty menjëherë. Është dashur me dërgu dikënd nga lista e pritjes deri në rekrutim”, tha Gagica për KALLXO.com.

Se nuk ka pasur konkurs për rekrutimin e tij e ka pranuar edhe vetë asamblisti i LDK-së, Shemsedin Elezi.

Ai për KALLXO.com tha se pasi e ka kuptuar që lëndët ekonomike në këtë shkollë kanë mbetur pa mësimdhënës, ka shprehur interes për këtë pozitë.

“Jo, nuk ka qenë me konkurs, por është dashur me bë një zgjidhje të shpejtë, mos me i  lënë nxënësit pa lëndë. Kur u zgjedh drejtori menjëherë ka fillu gjysmëvjetori i dytë, kam qenë i gatshëm më dhënë aty kontributin tim”, thotë ai. “Unë jam interesuar personalisht, e kanë shqyrtuar dy javë DKA-ja dhe e kanë ditë aktivitetin tim dhe e kanë vendosur si zgjidhje të shpejtë”, shtoi Elezi.

Mirëpo, neni 35 i Ligjit të Arsimit Parauniversitar në Kosovë thotë se zgjedhja e mësimdhënësve duhet të bëhet përmes konkursit publik.

“Zgjedhja ose drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve arsimore, mësimdhënësit, asistentët dhe instruktorët zgjidhen përmes një konkursi publik në bazë të meritës personale, pa asnjë lloj diskriminimi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për arsye reale apo të supozuara..”

Kurse, vetëm një muaj pasi që ai është caktuar si mësues i përkohshëm deri në procedurat e rekrutimit, Komuna e Gjilanit është kujdesur që t’ia ruajë vendin e punës atij.

Kështu DKA-ja kishte hapur konkurs për mësimdhënës të rregullt për pozitën e njëjtë më 7 mars të këtij viti.

Nga rezultatet e dala të këtij konkursi, i cili u anulua ditë më parë me vendim të kryetarit Lutfi Haziri, kandidati i parë me më së shumti pikë figuron bashkëpartiaku i tij, Shemsedin Elezi, me 65 pikë.

Pavarësisht se u anulua ky konkurs, Elezi thotë për KALLXO.com se do të futet përsëri në garë për mësimdhënës të rregullt sepse beson që është kandidati më i duhur.

“Me thënë të drejtën përsëri do të aplikojë, pasi që përvoja ime shumë e madhe në punë me të ri dhe kriteret i plotësoj të gjitha. Konsideroj që shkolla ka shumë nevojë për kontributin tim aty, po varet prej konkurrentëve”, tha Elezi.

Kurse, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica u zotua se nuk do të favorizohet asnjë kandidat.

”Ai vend do të jetë edhe ne konkursin e radhës dhe kriteret do të vendosin se kush do të jetë mësimdhënës aty dhe s’do të favorizohet asnjë kandidat. Nëse nuk i mbush kriteret s’do të pranohet asnjë”, thotë Gagica për KALLXO.com.

Në bazë të të dhënave të publikuara në uebfaqen e Komunës së Gjilanit, Elezi nuk ka qenë asnjëherë mësimdhënës, por është master i Ekonomisë.

Konkursi për mësimdhënës në Gjilan është duku u anuluar për herë të dytë brenda këtij viti.

https://kallxo.com/lutfi-haziri-anulon-konkursin-per-mesimdhenes/

https://kallxo.com/rishpallet-konkursi-per-mesimdhenes-ne-gjilan/

https://kallxo.com/komuna-e-gjilanit-shpall-konkurs-per-58-vende-te-lira-pune-ne-arsim/