Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

Asamblistët i ankohen Haskukës: Vendimet tona nuk po i përfillin as drejtorët e tu as Qeveria

Anëtarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit i janë ankuar sot kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, se vendimet e Asamblesë që po propozohen dhe votohen nuk po përfillen as nga drejtues të drejtorive as nga institucionet e nivelit qendror.

KALLXO.com rregullisht po monitoron seancat e Asamblesë Komunale të Prizrenit dhe sjell çështjet e ngritura në këto mbledhje dhe pikat e rendit të ditës që po miratohen e diskutohen nga asamblistët.

Por disa nga asamblistët gjithashtu thanë se nuk po marrin përgjigje për pyetjet e tyre nga drejtorët e drejtorive të caktuara, as me shkrim pasi që po përfundojnë seancat.

Shukri Quni, ish-anëtarë i PDK-së, që tashmë ka kaluar në radhët e asamblistëve të Nismës Socialdemokrate, nga kryetari Haskuka por edhe nga kryesuesi i Asamblesë, Artan Abrashi, kërkoi sqarim se pse vendimet e kësaj Asambleje nuk po përfillen dhe nuk po merren parasysh nga organet kompetente dhe nuk po zbatohen nga personat adekuatë.

“Ne kot po votojmë e po punojmë kur vendimet tona nuk po procedohen në organet adekuate, edhe më lartë se Komuna e Prizrenit, pra në organet qendrore. Që 2 vite një vendim nga Kuvendi Komunal i Prizrenit nuk është ekzekutuar dhe AKP-ja po i privatizon parcelat për të cilat po votojmë ne në Kuvendin Komunal”, tha ai.

Pranverim Berisha, asamblisti tjetër i Nismës Socialdemokrate -së kishte pyetje për Haskukën lidhur me një vendim, sipas tij, tash e 2 vite të pazbatuar.

“Po i drejtohem kryetarit Haskuka por edhe drejtorit të Shërbimeve Publike, sepse kemi marrë vendim për emërimin e fshatrave me emër dhe vendosjen e tabelave, e realizimi i këtij vendimi nuk është bërë akoma”, tha ai.

Ndërsa asamblisti nga radhët e PDK-së, Kastriot Krasniqi, e pyeti Haskukën se a po i kontrollon drejtorët e tij. “Këto pyetje që po i bëjmë asnjëherë më duket s’po marrim përgjigje. Ani pra pe heqim krejt prej rendit të ditës këtë pikë”, shtoi ai.

Por i njëjti nuk shfaqi aspak interes për të marrë përgjigje për këtë pyetje, sepse menjëherë pas 2-3 minutash bashkë me kolegun e tij, asamblistin Bardh Avdaj dolën jashtë.

Ilir Baldedaj, asamblisti nga radhët e AAK-së nuk kishte ndonjë pyetje konkrete por paraqiti ankesat e tij ndaj koalicionit qeverisës.

“Juve të koalicionit ishalla ju ka kalu gripi, se ju ka kap gripi në mes vete. Kryetari Haskuka t’na sqaron se a e keni nda pushtetin sikurse tokën e babës, sepse subjektet politike po i drejtojnë drejtoritë sipas planeve të tyre partiake. Kryetar, të gjitha dështimet të faturohen ty se përgjegjës je ti kryetar”, tha Baldedaj.

I njëjti nuk e la pa e kritikuar dhe drejtuar akuza edhe ndaj drejtorit të Arsimit, Skender Susuri për punësime nëpër shkolla.

“Është folë shumë për kapje të shtetit nga ana e juaj, e tash ju që jeni në pushtet. A pe kapni pushtetin me punësimin e rejave të prokurorëve, e pa kalu afati i ankesave të kandidatëve po fillojnë punën ato rejat e prokurorëve”, tha ai.

Skender Susuri i dha përgjigje Baldedajt duke i thënë se nuk do të merret më me këto çështje.

“Tash e tutje, çka keni akuza e dyshime drejtojuni gjykatave e prokurorive që po i përmendi me aq shumë qejf. Unë s’do të merrem me emra e mbiemra u punësu filani e filanja, çka keni ankesa për konkurse me emra të caktuar drejtojuni prokurorive e gjykatave”, tha drejtori i Arsimit Skender Susuri.

Drejtoria e Arsimit me në krye Skender Susurin është sektori më i sulmuar dhe ndaj të cilit po drejtohen akuzat më të shumta nga ana e asamblistëve në të gjitha seancat.

https://kallxo.com/https-kallxo-com-punesimet-partiake-ne-prizren-perplasin-drejtorin-e-arsimit-me-asamblistet/

www.kallxo.com