Foto: Kallxo.com

Asamblistët e Gjakovës votojnë për ndryshimin e vendimit për zonën afër kullës së Sylejman Vokshit

Me 18 vota pro, 14 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi Komunal i Gjakovës ka miratuar propozimin për ndryshim të vendimit për shpallje të interesit publik të zonës rreth monumentit kulturor dhe historik ‘Kulla e Sylejman Vokshit’.

Ky vendim për shpallje me interes publik dhe me përkujdesje të veçantë nga Komuna, ishte marrë në tetor të vitit 2015, nga mandati i kaluar qeverisës.

Kryetari Ardian Gjini, arsyetim për ndryshim të këtij vendimi e kishte sepse me këtë kursehen rreth 1 milion euro nga buxheti i Komunës, që do të shkonin për shpronësim.

https://kallxo.com/ardian-gjini-eshte-mashtrim-qe-po-cenohet-kulla-e-sylejman-vokshit/

Ndërsa opozita në këtë Komunë, e kundërshtoi ndryshimin e vendimit, me arsyetimin se po krijohet hapësirë për ndërtimin e objekteve të larta afër kullës së Sylejman Vokshit.

Më herët gjatë ditës u mbajt edhe një protestë nga shoqëria civile para Kuvendit Komunal të Gjakovës, ku u kërkua nga asamblistët që të mos votohet për ndryshimin e vendimit.

https://kallxo.com/fillon-protesta-ne-gjakove-kunder-ndryshimit-i-statusit-te-zones-rreth-kulles-se-sylejman-vokshit/

Kjo ishte hera e tretë që kjo pikë u soll në Kuvendin Komunal për votim nga kryetari Gjini, ndërsa dy herë të tjera kishte dështuar të votohej.

Dje, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përmes një reagimi ka kundërshtuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe anëtarëve të caktuar të Asamblesë  Komunale të Gjakovës për të ndryshuar statusin e zonës së veçantë të mbrojtur të zonës përreth kullës së Sylejman Vokshit.

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, nëpërmjet vendimit të vitit 2015 zona përreth shtëpisë (kullë) së lindjes të Sylejman Vokshit ishte shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, me qëllim që vlera kulturore dhe me identitet e Kullës së Sylejman Vokshit të ruhej dhe zhvillohej tutje, si dhe që të pengohej ndërtimi i objekteve që do të dëmtonin dhe zhvlerësonin këtë monument të trashëgimisë kulturore.

Lidhur me këtë iniciativë, dje ka reaguar edhe ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

“Shfuqizimi i planit të Hënën dhe rrjedhimisht shkelja e ligjit të trashëgimisë kulturore është vepër penale e sanksionuar me kodin penal të Kosovës. Të hënën Kryetari i Gjakovës, kryesuesi i Asamblesë dhe të gjithë ata që e shkelin ligjin bëhen subjekt i ndjekjes penale për shkatërrim dhe dëmtim të trashëgimisë kulturore”, thuhej ndër të tjera në reagimin e kryetares së Alternativës.

https://kallxo.com/kundershtohet-ndryshimi-i-statusit-te-zones-rreth-kulles-se-sylejman-vokshit-neser-proteste/

www.kallxo.com