Pamje nga seanca e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Pejës - Foto: KALLXO.com

Asambleja e Pejës aprovon ridestinimin e mjeteve në projekte kapitale

Kuvendi Komunal i Pejës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për shqyrtimin e propozimit për transferimin dhe ridestinimin e mjeteve në projekte kapitale.

Kërkesa për ridestinim të mjeteve u aprovua me shumicë të votave.

Asamblisti nga radhët e Alternativës, Reshat Nurboja, tha se Komuna po punon “tu pa – tu ba”.

“Nuk është mirë me ju thanë anëtarëve të Kuvendit: Votone qeta tani mos e votoni qeta por qeta. Mos e udhëhiqni Pejën tu pa – tu ba “, tha Nurboja.

Një nga propozimet për të cilat u debatua ishte ndarja e mjeteve për furnizimin me ujë të pijshëm të Lugut të Baranit.

Lidhur me këtë pikë, asamblisti i PDK-së, Muhamet Halitaj, tha se me realizimin e këtij projekti të paanalizuar mirë po shkatërrohet një pikë turistike.

“Me realizimin e këtij projekti të paanalizuar mirë po e shkatërroni një pikë turistike. Kemi pasë shpresë që kryetari i tanishëm do ta ban një zgjidhje por fatkeqësisht ai projekt është kah don me u realizu e që ka me pasë pasoja si shkatërrimi i florës dhe faunës, shkatërrimi i bujqësisë, blegtorisë, rrezikimi i 100 shtëpive pa ujë, rrezikimi i vendit të punës së 300 punëtorëve në restorantet pranë ujëvarës etj.“, tha Halitaj.

Sipas tij, Komuna po e shkatërron regjionin e ujëvarës së Radavcit për të furnizuar me ujë një regjion tjetër.

Ndërsa asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mevlyde Idrizi, kërkoi që të mos politizohej me ujë.

“Unë nuk e di pse po i politizoni gjanat e ujit, ndoshta Radavcit i mungon pak për ujitje, unë jam për me pasë ujë krejt Radavci, por jo mos me pasë tërë Lugu i Baranit me fshatra. Le të bëhemi pak njerëzorë. Më të rëndësishëm se peshqit e Radavcit të Muhametit janë uji i pijes së qytetarëve. Mos luani me jetën e qytetarëve!“, tha Idrizi.

Në fund, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se uji nuk do të merret nga ujëvara por nga kanalet e ujitjes.