Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Asambleja e Malishevës ndalon varrosjen e veteranëve në varrezat e dëshmorëve

Gjatë mbajtjes së seancës së dhjetë të rregullt, është marrë vendim që të ndalohet varrosja e veteranëve të UÇK-së, në varrezat e dëshmorëve.

Në njoftimin e publikuar nga vetë Komuna e Malishevës thuhet se vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Komitetit për Familje të Dëshmorëve, Invalid, Veteran të luftës së UÇK-së dhe Martirë të luftës,

Po ashtu në mbledhjen e dhjetë të saj, Kuvendi Komunal i Malishevës, vendosi që të emërtoj një rrugë në Tërpezë, me emrin “Afrim Mehmet Krasniqi”, si dhe ka vendosur që Rregulloren për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale, ta dërgoj në dëgjim publik.

“Vendimet e tjera të marra nga KK i Malishevës, në dy ditë mbledhje, janë edhe këto: emërimi i tre anëtarëve në Komitetin për Barazi Gjinore, emërimin e tre anëtarëve në Komisionin për  shqyrtimin e çështjes së 32 banesave apo familjeve, në lagjen “Mirëdita” në Malishevë, disa rekomandime nga komiteti për bujqësi, si dhe kërkesën e një qytetari për ndërrim destinim të tokës, nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore”, thuhet tutje në njoftim.

Në mbledhjen e dhjetë të rregullt, janë shqyrtuar edhe projekt buxheti komunal, për vitin 2019, në lexim të parë, pastaj raporti gjashtë mujor i drejtorisë për bujqësi, përfundimi i vitit shkollor 2017-2018 dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019, raporti gjashtë mujor i punës së drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një kërkesë tjetër e Komitetit për Familje të Dëshmorëve, Invalid, Veteran të luftës së UÇK-së dhe Martirë të luftës.