Pamje nga një seancë e Asamblesë Komunale të Istogut - Foto: KALLXO.com

Asambleja e Istogut Nuk Diskuton për Uzurpimin e Pronave Publike

Këshilltarët nga radhët e opozitës në Asamblenë e Istogut kishin propozuar që njëra ndër pikat e rendit të ditës të jetë edhe diskutimi për pronat publike të uzurpuara në këtë qytet.

Përveç që nuk ishte pjesë e rendit të ditës, ky propozim nuk mori as votat e mjaftueshme nga këshilltarët komunalë kur u hodh në votim.

Florin Dreshaj nga radhët e Vetëvendosjes tha se në seancën e kaluar kishte marrë premtimin e kryesuesit se njëra nga pikat e rendit të ditës do të jetë edhe diskutimi i pronave publike të uzurpuara në territorin e kësaj komune.

“Kryesues e kam një pyetje për juve: më keni premtuar mbledhjen e fundit që keni me shti ketë muaj si pikë të rendit të ditës diskutimin për pronat e uzurpuara në qytetin e Istogut. E kam shkruar edhe email dhe nuk e di pse nuk është sot në rendë dite”, tha Dreshaj.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hazbi Bajra, pranoi se kishte premtuar se gjatë kësaj seance do ishte si pikë e rendit të ditës uzurpimi i pronave publike.

“Unë kërkesën e juaj ia kam deleguar ekzekutivit dhe të them të drejtën kam pritë që të marr një informacion lidhur me atë pyetje që e ke parashtruar, por nuk kam marrë përgjigje dhe as ju nuk keni përgjigje”, tha kryesuesi.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Haki Rugova, tha se duhet pasur material për t’u diskutuar kjo çështje.

“Të jetë rend dite duhet me pasë çka me thanë, pa një material, nuk e kemi përgatitur materialin”, tha Rugova.

Kurse, nënkryetari i Komunës, Lulzim Blakaj, tha se në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa është marrë për obligim që ndaj kërkesës së asamblistit Florin Dreshaj ekzekutivi të kthejë përgjigje me shkrim.

Mirëpo, sipas tij, gjendja në pushim e drejtorit të Urbanizimit ka bërë që përgjigjet mos të kthehen ende.

“Në mbledhje të Komitetit për Politik dhe Financa e morëm për obligim që ekzekutivi ta njoftojë me shkrim për kërkesën e bërë nga ana e anëtarit të kuvendit, Florin Dreshaj. Edhe nëse është i pakënaqur me atë se çfarë na i ofrojmë atëherë mund ta iniciojë çështjen në kuvend”, tha Blakaj.

Ndërsa, asamblisti i pavarur Arif Elshani tha se do ishte mirë për transparencën që uzurpimi i pronave të diskutohet në Kuvendin Komunal.

Ndërsa, Lulzim Shoshi, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo temë mbështetet nga gjithë anëtarët e opozitës që të diskutohet në Asamble.

“Kjo neglizhencë dhe ky hezitim për me pru në rend dite ketë temë thotë shumë se vërtetë ka çka të folët, ose na jemi në fund të mandatit si kuvend, kemi edhe dy tri mbledhje edhe ndoshta e keni ndërmend që ta shtyni pafundësisht derisa të përfundojë edhe ky mandat i këtij kuvendi”, tha Shoshi.

Shoshi tha së në rast se kjo temë nuk diskutohet në mbledhjen e ardhshme “do ndodhin skandale”.

Pas diskutimeve rreth kësaj çështje propozimi i opozitarëve u hodh në votim, por dy vota ishin më shumë kundër se kjo pikë të futet në rend dite. 10 vota për, 12 kundër ishte votimi i këshilltarëve komunalë të Istogut.

Kryesuesi i Asamblesë Komunale premtoi se seancën e radhës njëra ndër pikat e rendit të ditës  do jetë edhe diskutimi mbi pronat e uzurpuara publike të Istogut.

Në një nga mbledhjet e Kuvendit Komunal, këshilltarët nga opozita kishin akuzuar krerët e Komunës së Istogut se të afërm të tyre kanë uzurpuar prona publike.

http://kallxo.com/akuza-per-dhenien-e-pronave-komunale-bizneseve-te-familjes-rugova/

Gjithashtu emisioni “Drejtësia në Kosovë” në muajin maj shfaqi hulumtimin se si kompania që udhëhiqej nga vëllezërit e kryetarit Haki Rugova kishte ndërtuar objekt banesor në pronë publike.

Favoret e Komunës së Istogut për Kompaninë e Kryetarit Rugova