Pamje nga mbledhja e sotme e Asamblesë Komunale të Deçanit - Foto: KALLXO.com

Asambleja e Deçanit mban mbledhje të jashtëzakonshme për kontestin me Manastirin

Është mbajtur seancë e jashtëzakonshme në Asamblenë e Komunës se Deçanit që kishte për rend dite kontestin me Manastirin e Deçanit rreth asfaltimin të rrugës që gjendet në zonën e mbrojtur.

Qëllimi i mbledhjes se jashtëzakonshme ishte nxjerrja e rekomandimeve dhe materialeve drejtuar Këshillit Zotues dhe Monitorues që do shqyrtojë kontestin mes Komunës se Deçanit dhe Manastirit për asfaltimin e rrugës që kalon nëpër zonën e mbrojtur.

Kryetari i Komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj, disa herë përsëriti se asfaltimi i asaj rruge do ndikojë dukshëm në zhvillimin ekonomik të komunës.

Ai po ashtu theksoi se projekti i asfaltimit të rrugës nuk cenon asgjë në zonën e mbrojtur e aq me pak Manastirin e Deçanit.

“Asfaltimi i kësaj rruge është i domosdoshëm për qasjen në këto ambiente tejet të bukura dhe njëkohësisht kësaj hapësire i jep pamjen e duhur duke ndikuar pozitivisht në mjedisin natyror dhe në kuadrin vizual e estetik të zonës se Deçanit”, tha Ramosaj.

Kreu i Deçanit tha se ajo rrugë ka qenë ekzistuese edhe para se ajo zonë të shpallet e mbrojtur dhe se asfaltimi i saj nuk cenon askënd.

Në fund të seancës u formua një komision punues nga ekzekutivi dhe anëtarë të të gjitha subjekteve politike të kuvendit, të cilët do t’i i nxjerrin rekomandimet e këtij takimi për t’ia përcjellë Këshillit Zotues dhe Monitorues, i cili gjatë ditëve në vijim do e shqyrtojë këtë kontest.

Lidhur me asfaltimin e kësaj rruge kishte reaguar ambasadori amerikan, Greg Delawie.

http://kallxo.com/delawie-kritikon-komunen-e-decanit-per-nje-rruge/

Në një postim në profilin e tij në “Twitter”, Delawie kishte shkruar se Kosova duhet të mbrojë trashëgiminë e saj kulturore dhe të drejtat e minoriteteve dhe t’u përmbahet zotimeve ligjore gjatë ndërtimit të rrugës në Deçan.