Pacolli në Malishevë: Ne jemi nxënës të Rugovës

Kryetari i AKR-së dhe kandidati për deputet, Behgjet Pacolli gjatë një tubimi në Malishevë së bashku me LDK-në tha se Kosova s’ka nevojë për kryeministër të ri.

“S’kemi nevojë për kryeministër të ri, s’kemi nevojë për ndryshim sepse çdo ndryshim i kushton Kosovës me ngecje dhe ne kemi nevojë për vazhdimësi”, tha Pacolli drejtuar kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.

Ai shtoi se AKR është brum i LDK-së dhe theksoi se është nxënës i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

“Unë ftoj gjithë njerëzit e mirë të Kosovës që të gjithë ata që ja duan të mirën këtij vendi që me 14 shkurt të dalin dhe të votojnë LDK dhe aleatët e saj AKR-në, e cila është e njëjtit brum, e cila ka program të njëjtit dhe ka të njëjtin synim dhe ne jemi nxënës të Rugovës dhe po mundohemi me qenë nxënës të mirë”, tha Pacolli më tej në këtë tubim.

Në zgjedhjet e 14 shkurti, AKR-ja do të garojë në listën zgjedhore të LDK-së. Kjo parti ka njoftuar se Pacolli do të synojë pozitën e presidentit të shtetit.