Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim në ‘Prishtina Gastronomy Festival’

Atmosferë verore e ngrohtë, nën tinguj të muzikës shqiptare e me super ushqime, po ju pret të vini me familje, të dashur, shoqëri, e kolegë, në Festivalin e Gastronomisë në Prishtinë.

Plot njëmbëdhjetë ditë e net, duke filluar nga data 21 e deri më 31 korrik, do të jenë të mbushura me aktivitete që ndërlidhin çdo gjë që e bën njeriun të lumtur, ushqim – muzikë – argëtim.

Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” e përmbushur me program, do të bëj që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapat, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia.

Do ta ndjeni bashkimin kombëtar si asnjëherë më parë, me Vlorën që ngrit flamurin në Prishtinë, e Tiranën që i këndon bashkëqytetarëve në zemër të Prishtinës, e nën flladin strugian do të mund të këndoni edhe serenata korçare.

Dhjetë plus një, po fiks njëmbëdhjetë ditë e net, në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, do të ketë bashkim të shqiptarëve nga gjitha trojet tona, do të ketë ndërlidhje të kulturave të pasura shqiptare mes vete, por jo vetëm. Gjatë tërë festivalit do të ketë përveç atyre tradicionale, edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pra secili nga ju e ne do të ketë mundësinë të provojë shumëllojshmëri të kulturave të ushqimit, e t’i shijoj ato me pije.

Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.

Hapja e Festivalit do të bëhet nga Kryetari i Prishtinës z. Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës z. Erion Veliaj.

Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Ndërsa biletat dalin në shitje sot nga ora 13:00.

Më poshtë të bashkëngjitur e gjeni programin e muzikës. E së shpejti do të ju prezantojmë edhe programin e ushqimit.