Mbahet ceremonia e diplomimit të nxënësve të 'American School of Kosova' - VIDEO

Nxënësit e klasës së dymbëdhjetë në shkollën private “American School of Kosova” (Shkolla amerikane e Kosovës – ASK) kanë diplomuar më 14.06.2024, me një ceremoni e cila ka zgjatur rreth tri ore. 

Ceremonia është manifestuar me program të përgatitur nga nxënësit e shkollës dhe me fjalime nga mysafirë kontribues të shkollës “ASK”, si dhe të ftuar specialë si ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, diplomati amerikan, Willaim Walker dhe të tjerë.

Videon e ceremonisë mund ta shihni në këtë LINK. 

Ardian Hoxha, drejtor i shkollës tha se do ta bashkëudhëhiqte për herë të parë një ceremoni diplomimi, pasi edhe vajza e tij diplomoi sot gjithashtu.

Në fjalimin e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të cilin e prezantuan edhe si “prind krenar i ASK-s”, ai u është drejtuar nxënësve që kanë diplomuar duke i ftuar që të bëhen kadetë, e më pas oficerë.

“Ndoshta jam i ndikuar nga e kaluara ime, profesioni apo edhe pozicioni im aktual, por në anën time të djathtë shoh shumë vajza dhe djem që kanë aftësi dhe potencial që pasi që sot të hudhin përpjetë kapelën e diplomimit, të vendosin kapelën ushtarake si kadetë dhe më vonë oficer dhe oficere të Ushtrisë së Kosovës” – është shprehur ministri Maqedonci.

Sipas ministrit, kjo ditë për nxënësit që diplomuan shënon një moment të veçantë të jetës së tyre si kurorëzim i viteve të punës së palodhur, përkushtimit dhe këmbnguljes së tyre.

“Të nderuar maturantë, ju keni arritur diçka të mrekullueshme, ju keni përballuar sfidat e një udhëtimi të vështirë akademik dhe keni dalë me sukses të plotë në këtë rrugëtim” – u ka thënë të diplomuarve ai.  

Ndërsa, diplomati amerikan, William Walker tha se ishte krenar që ishte në ceremoninë e diplomimit të nxënësve të “ASK” pasi kishte një numër arsyesh. Në këtë rast, ai ka përmendur themelimin e Universitetit Amerikan të Kosovës – AUK.

“E para (arsye) – një nga arritjet e mia më krenare në jetën time në Kosovë ishte, në të njëjtën kohë që ti (Ardian Hoxha) fillove shkollën amerikane të Kosovës, unë isha i përfshirë në themelimin, falemnderit në një pjesë të madhe ndaj Behxhet Pacollit, Universitetin Amerikan të Kosovës” – ka përmendur Walker.

Me këtë rast ai i ka ftuar nxënësit që diplomuan sot që të studiojnë në “AUK”.

“Unë shpresoj se shumë prej jush do të shkoni në universitete ose gjëra tjera për të bërë në vende tjera të botës dhe unë dua që ju të bëni një gjë – kur ata t’iu thonë – ku jeni edukuar, ku e keni kryer shkollën e mesme, ju të thoni – unë isha në ‘American School of Kosova’” – u ka thënë Walker të diplomuarve.

Më tej, Ardian Hoxha ia ka dhënë fjalën edhe ish-presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli, të cilin teksa e ka prezantuar i ka treguar se e kishte parë në Ulqin në vitin 1994 dhe ia kishin prezantuar si “njeriun, shqiptarin më të pasur, më të suksesshëm në botë” dhe atëherë Hoxha tha se kishte thënë që “një ditë do të bëhem si ai”.

Hoxha po ashtu tha se Pacolli ka qenë inspirim dhe një model shembulli.

Ai po ashtu bëri të ditur se edhe djali i Pacollit ka diplomuar në këtë gjeneratë të nxënësve, për të cilin tha se ka ardhur nga Zvicra në Kosovë dhe nuk dëshiron të kthehet.

Vet Pacolli u nda i kënaqur me edukimin e djalit të tij në ‘ASK’ dhe rrëfeu për dëshirën e tij që të mësonte në Kosovë.

“Stafi juaj, mësuesit që kanë bërë punë të madhe për t’i edukuar këto vajza të bukura dhe djem të rinj, dhe në atë rast gjithashtu edhe djalin tim, Isain. Kur ai përfundoi shkollën fillore, ai tha – unë dua ta ndjej Kosovën, unë dua të kthehem në Kosovë dhe interesohu çfarë lloj universiteti, shkolle mund të zgjedhësh për mua… Unë isha shumë i lumtur që ai shprehu dëshirën e tij të vinte në Kosovë dhe ai është këtu” – ka thënë Pacolli.

Ndërsa, mysafiri i parë që ka folur në këtë ceremoni të ‘ASK’ ka qenë Ray Lindley, i cili është vlerësuar nga Hoxha.

Lindley ka theksuar një mesazh për nxënësit që diplomuan.

“Kurrë mos u dorëzoni. Kurrë, kurrë mos u dorëzoni. Të diplomuar, ju sfidoj ta mbani atë në mendje, në rast se e ardhmja juaj është e paqartë dhe nuk dini se në cilën rrugë të shkoni – mos u dorëzoni kurrë. Nëse keni kohëra të depresionit apo mërzitjes, mos u dorëzoni kurrë. Nëse keni mungesë të konfidencës dhe nuk mendoni se mund të jeni të suksesshëm – mos u dorëzoni kurrë” – tha Lindley.

Mysafiri i dytë, të cilën Hoxha e prezantoi si mësuese që kishte punuar 8 vjet pa pagesë, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, në kohën kur ishin mbyllur shkollat, ishte Igballe Blakaj. 

Blakaj e ka falenderuar Hoxhajn për fjalët e mira që i tha për të dhe e ka njoftuar se në vitin 2024, pas shumë vitesh punë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ky vit e ka gjetur drejtoreshë të këtij gjimnazi.

Me këtë rast, ajo ka treguar për përvojën dhe kontributin e saj në shkollën amerikane.

“Ftesa për t’u bërë pjesë e shkollës amerikane të Kosovës që për herë të parë hapej, më bëri që të shmang gjithë punën që e bëra atje dhe të vijë të jap një kontribut të vogël këtu në shkollë. Patëm shumë sfida, patëm shumë punë për të bërë, ti ishe shumë i ri, unë isha me përvojë, ti ishe me shumë vullnet dhe me një përvojë që kishe marr në shkollë të mesme… Ia nisëm punës dhe kur të pytshin sa vjeçar je, ti nuk tregojshe, thojshe – unë e drejtoresha kemi kaq vjet” – është shprehur Blakaj. 

Më pas, Hoxha ka shpjeguar se në kohën kur ishte hapur ‘American School of Kosova“ ai kishte pasur 22 vjeç.

“Por, kur zonja Igballe erdhi dhe u bashkua në shkollë tonë, unë u ndjeva më shumë konfident. Ajo i njihte të gjithë dhe ajo solli qëndrueshmëri në shkollën tonë, ajo kishte një eksperiencë të gjatë që e solli në shkollën tonë dhe kryesisht, akademikisht, ne filluam të përmirësohemi me hapa të mdhenjë dhe kryesisht unë jam mirënjohës ndaj saj përgjithmonë” – tha Hoxha.

Ish-drejtoresha e shkollës amerikane, Shannon Bruce Ramaka ishte një nga njerëzit që Hoxha tha se iu bashkua shkollës së tyre, pas një aksidenti me veturë që kishte pësuar ai me bashkëshorten e tij.

“Ne erdhëm në një pikë që kishim shumë nevojë për dikë me shumë eksperiencë, dikë me shumë energji për të marrë udhëheqjen (e shkollës) dhe të sillte shkollën tonë në nivelin e ardhshëm” – e ka prezantuar Hoxha, ish-drejtoreshën e shkollës Ramaka.

Në fjalimin e saj, Ramaka ka treguar se ka tri ditë që ka ardhur në Kosovë dhe u ka treguar njerëzve që ndihet sikur nuk ishte larguar kurrë.

“Unë përdora një sasi të madhe energjie (kur isha drejtoreshë e shkollës ASK) dhe kur unë kthehem pas për të reflektuar, pyes veten nga vinte (ajo energji). Mund të jetë e vështirë të besohet se nuk ishte ambicie, mund të jetë e vështirë për disa njerëz të mendojnë se nuk e bëra atë për rrogën, por me të vërtetë e bëra sepse isha pjesë e diçkaje më të madhe dhe unë me të vërtetë besoj se ASK ka një vulë për zhvillimin e rritjes në këtë shtet” – ka thënë Ramaka.

Pjesë e ceremonisë ka qenë edhe Alyson Grunder, zëvendësambasadorja e SHBA në Kosovë, e cila ka shprehur vlerësimin e Ambasadës amerikane në Kosovë ndaj ‘ASK’.

“Ambsada e Amerikës e vlerëson thellësisht dhe është shumë mirënjohëse për edukimin dhe kurrikulën që kjo shkollë ofron për nxënësit… Është një nder i veçantë të jem këtu dhe të shoh kaq shumë fytyra të lumtura të mbledhur për të festuar këtë ditë të mrekullueshme” – tha Grunder.

Sipas presidentit të shkollës, Ardian Hoxha, kjo ishte ceremonia e njëzetë e diplomimit të nxënësve në shkollën private ‘ASK’.