Arsyetimi i gjykatësit për lirimin e ministrit Lluka

Kur kanë kaluar më shumë se katër vjet nga koha për të cilën ministri Valdrin Lluka akuzohej se kishte kryer veprën penale të konfliktit të interesit, Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi atë nga akuza.

KALLXO.com sjell arsyetimin e plotë të gjykatësit, Hamdi Ibrahimi për vendimin ndaj ministrit Lluka.

Megjithëse epilogu i Gjykatës ishte shfajësues, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi dha një arsyetim interesant për këtë vendim duke aluduar se aktakuza e Prokurorisë nuk ishte drejtuar në adresën e duhur.

“Vendimi ose procedura që është nisë që OJQ-së Jakova Inovation Center nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë t’i ndahet shuma prej 20 mijë eurove, si subvencione ka qenë vendim absolutisht i ndaluar me ligj sepse ligji këtë e ka ndaluar,  e përderisa këta dy zyrtarë të lartë kanë qenë qoftë si themelues qoftë si anëtarë apo kryetar të bordit dhe këtu paraqitet momenti i veprimeve të tyre të kundërligjshme”, arsyetoi vendimin e tij Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi më pas  përshkroi kronologjinë e veprimeve që i quajti të kundërligjshme, por tha se aktakuza nuk i ka trajtuar dhe ai e ka të ndaluar të flasë më shumë.

“Do të thotë se janë të përfshirë në veprime që ligji i ka ndalu. Por sipas ligjit e përsëris se kjo OJQ në ditën kur është bë kërkesa nga i akuzuari Lluka, për lejimin e mjeteve dhe në ditën kur e akuzuara Eliana Naka ka marrë vendim për themelimin e Komisionit për vlerësimin e kërkesave të kësaj OJQ-je, në ditën kur Komisioni ka vendosë dhe e ka dërgua lëndën tek sekretarja që të vendosë dhe në ditën kur kjo e merr vendimin prapë që e obligon në rrugë zyrtare Ministrinë që të bëjë këtë pagesë, të gjitha këto veprime janë të ndërmarra në shkelje të nenit 11 paragrafit 2 të të Ligjit për Konfliktin e Interesit e që paraqesin edhe veprime tjera por që unë këtu e kam vijë të kuqe dhe nuk mundem të flasë sepse vetëm shkeljet nga neni 6 dhe paragrafi 1 i nenit 11 i Ligjit për Konflikt të Interesit”, tha Ibrahimi.

https://kallxo.com/lirohet-nga-akuza-ministri-valdrin-lluka/

Para se të jepte këtë shpjegim, Ibrahimi tregoi se pse shpalli te pafajshëm ministrin Lluka.

“Koha e kryerjes së veprës penale në raport me të akuzuarin Valdrin Lluka ishte data 23 maj 2014 ndërsa Bordi i Drejtorëve i kësaj OJQ-je i kryesuar nga Eliana Naka ka marrë vendim më datën 15 prill 2014, do të thotë një muaj e më shumë përpara që të akuzuarin Valdrin Lluka si përfaqësues i autorizuar i kësaj OJQ-je ta zëvendësojë me z. Faton Agjani”, tha Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi bëri të ditur se ky vendim ishte prezantuar në seancën e fundit të këtij rasti dhe nuk ishte kontestuar vlefshmëria e saj nga prokurori që përfaqësoi në këtë seancë, Arian Gashi.

“Ky vendim është prezantuar në shqyrtimin gjyqësor në seancën e fundit dhe si dokument , si provë nuk është kontestuar nga prokurori i shtetit dhe validitetin e saj gjykata nuk është lëshuar dhe e ka marrë si provë dhe me këtë është konstatuar se i akuzuari ishte shmangur nga konflikti i interesit.

“Sido që të jetë, të qenit themelues i një OJQ-je  dhe në të njëjtën kohë zyrtar i lartë i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë parqet formë të konfliktit të interesit në kapacitetin  e Ligjit të Konfliktit të Interesit që parasheh se janë të karakterit të kundërvajtjes dhe për këto veprime i njëjti ka mundur që t’i nënshtrohet procedurës së kundërvajtjes brenda afatit ligjor por nuk jam në dijeni që është zhvilluar një procedurë e tillë”, tha Ibrahimi.

Për të akuzuarën Eliana Naka, e cila u dënua me 7 mijë euro Ibrahimi tha se ka pasur konflikt të interesit.

“Sa i përket të akuzuarës Eliana Naka, e njëjta duke qenë në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, pozitë kjo e cila në kuptimin administrativ dhe të kuptimit të legjislacionit është pozita ma e lartë në Ministri, e njëjta sipas vendimit të Ministrisë, sipas vendimit që është në shkresat e lëndës ka ushtruar funksionin e plotë si drejtoreshë e Bordit të OJQ-së”, tha Ibrahimi.

Pas përfundimit të seancës, avokati Artan Çerkini tha se vendimi ka qenë i pritshëm për lirimin e ministrit Lluka.

“Në raportin me ministrin për mua ka qenë një vendim i pritur i Gjykatës. Prej fillimi e kemi manifestuar se në veprimit e Ministrit Lluka nuk paraqiten elementet e veprës penale të konfliktit të interesit sepse veprimet e zotëri Llukës në këtë rast ishin në tërësi në harmoni me kornizën ligjore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, tha Çerkini.

Sipas aktakuzës, tani ministri Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014, ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Për konflikt të interesit në këtë rast akuzohet edhe Eliana Naka e cila sipas aktakuzës, si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e bordit.

Prokurori që përfaqësoi këtë lëndë në seancën e fundit, Arian Gashi tha se kjo aktakuzë nuk ka qenë e hartuar nga ai, ndërsa ka qenë vetëm zëvendësim i prokurorit Naim Abazi.

KALLXO.com mëson se para se këtë lëndë ta kishte prokurori Abazi, ishte prokurorja tani e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu-Statovci, ajo që kishte përfaqësuar këtë lëndë. Po ashtu në këtë lëndë kishte përfaqësuar edhe prokurori Ibrahim Berisha.

Paragrafi 2 i nenit 11 të Ligjit për Konflikt të Interesit, ligji ky tashmë i shfuqizuar me ligjin e ri parasheh si në vijim.

“Organizata joqeveritare me anëtar të organit drejtues nga paragrafi 1 i këtij neni nuk mund të përfitoj mjete nga buxheti i Kosovës nëse anëtari i organit drejtues të organizatës joqeveritare, në cilësinë e zyrtarit, ka ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në vendimmarrje, me rastin e  vendosjes për Organizatat Joqeveritare përfituese nga mjetet e buxhetit të Kosovës”.

Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në akuzat e prokurorisë.