Ajri i ndotur në Fushë-Kosovë - Foto: KALLXO.com

Arsyetimi i Fushë Kosovës për ndalimin e "Muslim Taksit"

I akuzuari në rastin “Badovci”, Fehmi Musa, në emisionin “Drejtësia në Kosovë” tregoi se si Komuna e Fushë Kosovës nuk e kishte lejuar atë ta licencojë punën e tij si taksist me mbishkrimin “Muslim Taksi”.

“Jam interesuar në Komunë për të marrë lejen e punës, e kam marrë lejen e punës por me kushte. Më ka thanë drejtori i urbanizmit m’ka qitë kushte, më ka thënë që me ja ndrru patjetër emrin e firmës për me punu taksi, për me të lëshu leje. E kam pasur emrin e firmës Muslim Taksi”, tha Musa.

Musa thotë se nuk e kishte kuptuar se për cilën arsye do të duhej ta ndërronte emrin e kompanisë së tij.

“Nuk ka keq asgjë, por edhe unë po e kërkoj atë të keqe, nëse diçka është keq po ja heqi edhe taksin. Zyrtarët komunalë më kanë thanë që duhet me ja heqë emrin ‘Muslim’, e cila është shkelje flagrante e ligjit për institucione, pasi që nuk guxon një person zyrtar me më kushtëzu a ia ngjes unë ‘Hasan’ a qysh. Ajo është çështje e imja personale. Përderisa nuk e cenoj sigurinë e personit tjetër është e drejtë e imja qysh me ja lanë emrin. Por ata më kanë qitë kushte që duhet me ia heqë emrin”, tha ai.

Ai thotë se zyrtarët komunalë kishin pranuar që ai të vazhdojë punën e tij si taksist me një emër tjetër.

Zyrtarë të komunës së Fushë Kosovës, kanë konfirmuar se një kërkesë e Fehmi Musës për të licenuar biznesin e tij e kishin pranuar.

“Fehmi Musa ka bërë kërkesë gojore dhe jo me shkrim te ne, që t’i lejohet të punoj si taksi me firmën “Muslim Taksi” gjë që nuk ju ka lejuar por që ndërkohë ka regjistruar firmën me emrin “Auto Taksi” ku punon edhe tani”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë Kosovës.