Arsyet pse vetura e qeverisë ishte në Banjën e Elbasanit

Një veturë zyrtare e Republikës së Kosovës me targat (3Z 208 16) ishte parë të hënën e kësaj jave në Elbasan të Shqipërisë, përkatësisht në qendrën rehabilituese të këtij qyteti.

KALLXO.com kishte sjell fotografi ekskluzive të dërguara nga një lexues në të cilën shihej vetura zyrtare në parkingun e kësaj banje, ndërkaq Ministria e Administratës Publike, ka bërë të ditur për KALLXO.com se kodi identifikues  (3Z-…-16 ) i përket  Ministrisë së Bujqësisë , Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“…Ndërsa për zyrtarin i cili është i ngarkuar me këtë veturë kontaktoni në MBPZHR”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, Ministria  e Bujqësisë në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se automjeti “Reno Megane” me targa 3Z-208-16 është në shfrytëzim nga zëvendësministri i MBPZHR-së, Jeton Emini.

“Në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës  Neni 3, Kategoritë e zyrtarëve që kanë të drejtë të përdorin automjetet zyrtare: 3.1 Kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Sekretari i përhershëm i ZKM-së dhe Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, të cilët për qëllime zyrtare do të kenë në përdorim 24 orë automjetet zyrtare”, thuhet në përgjigjen e tministrisë.

Në anën tjetër, zëvendësministri Jeton Emini ka thënë për KALLXO.com se në banjën e Elbasanit e ka dërguar shoferin e tij për t’i ndihmuar me mjete financiare një pjesëtari të komunitetit jo shumicë, përderisa ka shtuar se vetë ka marrë pjesë në një punëtori dyditore afër Elbasanit.

“Vetura në fjalë është në shfrytëzim nga zyra ime dhe se me datë  22.04. 2019, e hënë, kam qenë në takim pune duke hartuar një strategji për komunitete. Se çka ka kërkuar vetura në qendrën rehabilituese në Elbasan, kam përgjigjen shumë të sinqertë, një pjesëtar i komunitetit tim ishte në rehabilitim dhe se ka kërkuar një ndihmë të vogël financiare sepse kishte mbetur shumë keq dhe si rrjedhojë kam dërguar shoferin për ta dërguar një shumë të vogël si pjesë e ndihmës për shkak të kësaj natyre e keni hasur ju veturën”, theksoi ai.

Zëvendësministri ka shtuar personit të cilit i ka dërguar ndihmë me veturë zyrtare përmes shoferit, nuk e ka familjar.

“Personit që i kam dërguar atë ndihmën, nuk e kam familjar bile as qe e njoh figurativisht, ajo çka di është që ajo është grua e moshuar dhe se njeri nga kolegët  hasi ta njoh e tregoi si rast për gjendjen e rëndë që e kishte duke filluar si një histori të dhimbshme , normale që pata emocion, dëshirë e ndihmova me qa sa pata mundësi”, thuhet në përgjigjen e tij.

Zëvendësministri i Bujqësisë bërë të ditur se i përket komunitet jo shumicë ashkali.

“Unë jam prej komunitetit ashkali, për atë nuk e di saktë cili komunitet i përket. E di si është përceptimi nga jashtë,  e di që bëhen keqpërdorime, por tash secili e ka anën e vet”, ka thënë ai.

Emini ndër të tjerash ka thënë se për takimin e punës, ka dëshmi me aktivitetin e postuar po në atë datë në rrjetin social Facebook, mirëpo në profilin e tij, duke u kyçur si vizitor i jashtëm, Emini nuk ka të publikuar ndonjë postim për vizitën në Elbasan.

Por kjo nuk është hera e parë që zëvendësministri Jeton Emini, ishte parë me veturë zyrtare jashtë Kosovës.

KALLXO.com, kishte raportuar në shtator të vitit 2018, se vetura zyrtare e tij ishte parë në Ulqin të Malit të Zi.

Vetë Emini kishte thënë për KALLXO.com se vizita e tij në Mal të Zi ka qenë zyrtare.