Arsyet pse Gjykata e pushoi procedurën ndaj ish-krerëve të Telekomit

Gjykata e Prishtinës e ka pushuar procedurën penale ndaj ish-krerëve të Telekomit, Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Procedura ndaj tyre u anulua pasi Gjykata i vlerësoi si të bazuara kundërshtimet e mbrojtësve.

Sipas vendimit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com,  Prokuroria Speciale nuk e ka mbështetur aktakuzën me asnjë provë të besueshme.

Tutje në aktvendim thuhet se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë pasur për qëllim t’i shkaktonin dëm të dëmtuarës “DARDAFON”.

“Nga provat e prezantuara shihet se moszbatimi i kontratës ka ardhur si rezultat i qëndrimeve të ndryshme që kanë pasur lidhur me interpretimin e kontratës dhe lidhur me obligimet e PTK-së në raport me palën e dëmtuar”, thuhet në vendim.

Gjykata gjatë analizimit të provave nuk e ka vlerësuar si provë të vlefshme vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit nuk është njohur dhe nuk është shpallur i ekzekutueshëm, andaj pasi vendimet e Arbitrazhit prodhojnë pasoja juridike vetëm pasi njihen nga gjykatat tona, një vendim i tillë nuk mund të njihet si provë dhe nuk ka efekt juridik pasi nuk është njohur nga ndonjë gjykatë kompetente në Kosovë”, thuhet në vendim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ejup Qerimit gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri më 24.05.2017, kur ky i pandehur edhe pse nuk ka qenë kompetent kishte  lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, i pandehuri Agron Mustafa duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk ka përmbushur detyrat e tija zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës theksohet se i pandehuri i tretë, Rexhë Gjonbalaj, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.

Me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1, të KPRK-së.

KALLXO.com mëson se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com, në dhjetor të vitit të kaluar ka raportuar për fillimin e hetimeve për këtë rast.

Në atë kohë, prokurori Abdurrahim Islami kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë rast.

https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nise-hetime-ndaj-agron-mustafes-dhe-zyrtareve-te-telekomit/

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016, Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë eurosh.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.