Arsimi Profesional nuk po Ndërlidhet me Ekonominë

Të rinjtë po e kanë problem punësimin ngase nuk po orientohen nga shkollat profesionale, por edhe këto shkolla nuk po ndërlidhen si duhet me ekonominë kosovare, u tha në diskutimin e organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së të enjten në Prishtinë.

Ragip Gjoshi, udhëheqës i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se arsimi profesional është një mundësi e veçantë për punësimin e të rinjve dhe për vetë punësimin.

Por, sipas tij, bizneset ende nuk e kanë gjetur mirëkuptimin me arsimin profesional dhe si me vështirësi pranojnë që nxënësit ta mbarojnë detyrimin që e kanë në praktikën profesionale.

“Arsimi profesional kërkon një kohëzgjatje më të shkurtë të shkollimit dhe kërkon një ndërlidhje më të drejtpërdrejtë me ekonominë, se a e di nxënësi se ku e ka vendin e punës, gjatë trajnimit, gjatë aftësimit,” tha Gjoshi.

Ndërsa, Argjentina Grazhdani nga projekti “Swiss Cooperation” tha se ne vijmë prej një shoqërie të pushtetit ku shteti vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh. Ajo tha se ky realitet duhet ndryshuar dhe duhet të merret seriozisht punësimi i të rinjve.

“Ne duhet të merremi seriozisht me punë, sepse përndryshe do të kemi një bum social. Ndoshta jo sivjet, por ekzistojnë rreziqet. Ekziston një presion nga të rinjtë tanë të cilët kërkojnë me mbijetu në këtë vend,” tha ajo.

Gjoshi çmoi punën e kësaj organizate zvicerane për ndihmën ndaj arsimit profesional.

“Unë çmoj iniciativën që e ka bërë kjo organizatë zvicerane në Komunën e Prishtinës dhe ka plot iniciativa vetanake po neve si shtet na duhet një veprim unik për kthimin e mendjes nga kjo sferë e arsimimit sepse arsimi është vetë ekonomi dhe ekonomia është arsimim”, tha Gjoshi.

Edhe Muhamet Abdyli, zyrtar ligjor në Departamentin e Arsimit ne Komunën e Prishtinës tha se për çdo vit shkollor nxënësit dhe prindërit orientohen në gjimnaze e jo në shkolla profesionale.

Sipas tij gjysma e këtyre të rinjve mbesin pa punë shkaku që duhet të vazhdojnë shkollimin e mëtutjeshëm.

“Ne ballafaqohemi për çdo vit shkollor me opinionin se nxënësit dhe prindërit të orientohen në shkollat, në gjimnazet e përgjithshme. Kjo e bënë të pamundshme edhe punësimin e tyre, sepse në gjimnaze shumica prej tyre duhet të orientohen për studime të mëtutjeshme,” tha Avdyli.

Sipas tij në Komunën e Prishtinës rreth 46 për qind e nxënësve janë të regjistruar në shkolla profesionale, ndërsa pjesa tjetër në gjimnaze.

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë mbështet punësimin e të rinjve përmes arsimit dhe aftësimit profesional në kuadër të fushatës së saj për zhvillim ekonomik.