Fotografi nga testi i maturës në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Arsimi i Kosovës Para Testit më të Madh Ndërkombëtar

Rezultatet nuk priten të jenë shumë pozitive nga ekspertë të fushës së arsimit e as nga vetë Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

Vitin e kaluar Kosova u bë vendi i 72-të i përfshirë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD).

Me këtë rast, rezultatet kombëtare do të tregojnë rangimin e Kosovës në mesin e shteteve dhe ekonomive të ndryshme, përfshirë këtu dhe vendet e rajonit.

Sipas ekspertit të fushës së arsimit, Blerim Saqipi, fokusi në rangim do duhej të ishte krahasimi me vendet e rajonit.

“Interesimi për rangimin e Kosovës duhet të fokusohet në krahasimin me vendet e rajonit që tashmë marrin pjesë në këtë vlerësim andaj edhe besoj se është joreale të kemi pritje më të mëdha kësaj here”, tha Saqipi për KALLXO.com.

Ndërkaq sipas Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, kësaj radhe rezultatet e këqija amnistohen sepse nuk përfshijnë periudhën e qeverisjes së tij.

arsim-bajrami_996818
“Cilido rezultat që do të vjen, nuk do të krijojë në Kosovë stres por vetëdijesim që të gjithë duhet të punojmë, të investojmë në arsim”. Arsim Bajrami, Ministër i MAShT. Foto: Kallxo.com

“Pritjet tona për vlerësimin PISA, janë reale pra nuk presim rezultate të mira sepse kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, tha Bajrami për KALLXO.com.

Ditën kur qe mbajtur për herë të parë në Kosovë testi i PISA-s, ministri Bajrami kishte thënë se ky test do të ndihmojë në rishikimin eventual të tërë sektorit të arsimit në vend.

http://kallxo.com/intelegjenca-e-nxenesve-kosovare-para-vleresimit-nderkombetar/

Si funksionon PISA?

 Programi PISA filloi në vitin 2000 me kontributin e personave të kualifikuar nga e gjithë bota që ndihmuan në përpilimin e një testi të cilit mund t’i nënshtrohen fëmijë nga e gjithë bota.

Ky testim synon të vërtetojë nëse nxënësit mund t’i aplikojnë mësimet që marrin në shkollë në situata të vërteta jetësore.

Tri elementet kyçe të vlerësimit të PISA-s janë shkencat, matematika dhe leximi.

Pjesëmarrja e shteteve në këtë program është vullnetare dhe madje nëse një shtet nuk është i gatshëm të marrë pjesë si tërësi, regjione të atij vendi mund të marrin pjesë në mënyrë të pavarur.

Në momentin që pjesëmarrja e një shteti në PISA pranohet, zgjidhen mostra të shkollave dhe nxënësve për të përfaqësuar të gjithë 15 vjeçarët e atij shteti.

blerim-saqipi
“Interesimi për rangimin e Kosovës duhet të fokusohet në krahasimin me vendet e rajonit që tashmë marrin pjesë në këtë vlerësim”. Blerim Saqipi (në mes), ekspert i çështjeve të arsimit. Foto: Facebook.

Testi realizohet në gjuhën kombëtare dhe synon që nxënësit të mos testohen nga memorja por t’u kërkohet interpretim i teksteve, zgjidhje e problemeve matematikore ose të shpjegojnë

fenomene shkencore duke përdorur aftësitë e tyre në arsyetim.

Nxënësit nuk marrin rezultatet individuale por ato mblidhen drejt një rezultati kombëtar që synon të reflektojë në sistemet arsimore nëpër gjithë botën që funksionojnë mirë apo keq në përgatitjen e të rinjve për studime të mëtejme apo punë.

 Çfarë do të thotë Testi PISA për Kosovën?

Kosova është treguar e gatshme për të marrë vlerësimin e PISA por sipas ministrit Bajrami rezultatet nuk kanë definuar punën e Ministrisë.

“Cilido rezultat që do të vjen, nuk do të krijojë në Kosovë stres por vetëdijesim që të gjithë duhet të punojmë, të investojmë në arsim. Ia kemi borxh fëmijëve tanë, popullsisë në Kosovë dhe ne kemi vepruar para daljes së rezultateve”, tha Bajrami.

E në anën tjetër, eksperti Blerim Saqipi, mësimdhënës në Fakultetin e Edukimit në Universitetin publik të Prishtinës, konsideron se PISA do të jetë një pasqyrë e nivelit të  nxënësve dhe ndërlidhjes së tij me kontekstin dhe prapavijën në të cilën janë zhvilluar mësimet.

“PISA vlerëson arritjet e nxënësve duke marrë parasysh edhe kontekstin e të mësuarit të tyre, në radhë të parë karakteristikat e shkollës, mësimdhënësve dhe – ajo që është më me rëndësi – sfondin social të nxënësve. Për këtë arsye, vlerësimi i PISA-s ofron një mundësi të pafund të ekzaminimit të sfidave të të mësuarit të nxënësve”, vlerësoi Saqipi.

http://kallxo.com/vleresim-nderkombetar-per-arsim-cilesor/

Ministria e Arsimit këtë vit ka hartuar kurrikulën e re mësimore dhe ka realizuar rishikimin e teksteve shkollore.

Këto hapa, sipas Ministrit, tregojnë për reformën në sistemin arsimor që sipas tij do ta rangojnë Kosovën shumë më lart në testimin e radhës në vitin 2018.

Por këto hapa nuk përkojnë me veprimet që Blerim Saqipi konsideron se duhet të ndërmerren nga MASHT drejt rangimit më të mirë në PISA.

“Në këto rrethana, fokusi i veprimeve të MASHT duhet ta prioritizojë zhvillimin e cilësisë së mësimdhënësve – të rinj dhe atyre ekzistues – dhe zhvillimin e mekanizmave të llogaridhënies në sistemin shkollor si dhe përmirësimin e realitetit të financimit të arsimit duke ndaluar ose tejkaluar gjendjen e status-quos”, tha Saqipi.

Në testin e fundit të mbajtur në vitin 2012 në tri vendet e para në këtë test u radhitën Shangai, Singapori e Hong Kongu ndërsa ndër vendet europiane, rezultatin më të mirë e arriti Lihtenshtajni që u radhit në vendin e tetë, para Zvicrës në vendin e nëntë dhe Honadës në të dhjetin. Ndër vendet e rajonit, Kroacia është radhitur në vendin 40, Serbia në vendin 43 ndërsa Shqipëria në vendin 57.