Konferenca "Trauma dhe Familja" | Foto: KALLXO.com

Arsimi cilësor si ndihmë në luftën kundër traumës

Në konferencën “Trauma dhe Familja” doktoresha Mimoza Shahini tha se traumat luftohen me arsim cilësor.

“Arsimi është gjëja e parë nga duhet të fillojmë. Sa më cilësor të jetë arsimi do ta kemi më të lehtë të punojmë në fushën e familjes e traumës”, tha ajo.

Shahini që në fushën e shëndetit mendor punon që nga viti 1999, tha se qëllimi i arsimit është të sigurojë progresin shoqëror, por sipas saj struktura e universiteteve nuk po i përgjigjet këtij qëllimi.

“Ne vendosim edukimin në pozicionim e tij, por edukimi është i lidhur ngushtë me shoqërinë”, tha Shahini.

Konferenca u organizua nga Shoqata e Terapisë Familjare në Kosovë së bashku me Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim.

Në konferencë, Feride Rushiti, përfaqësuesja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se kjo organizatë joqeveritare është themeluar në vitin 1999 me qëllim për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë pësuar gjatë periudhës së luftës.

Rushiti që është nderuar nga presidenti amerikan  me çmimin për avancimin e gruas në vend, foli edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Këtë krim jo e cilësoi më të heshturin nga krimet e luftës, por e vlerësoi njohjen që iu bë vuajtjeve të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Kanë qenë OJQ-të, të cilat me vite të tëra kanë avokuar për njohjen ligjore dhe fatmirësisht në vitin 2014 është njohur statusi i tyre si viktima të dhunës seksuale të luftës”, tha Rushiti.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa tha se mund të bëhet më shumë në ofrimin e një ndihme psikologjike për familjet dhe komunitetin që të eliminohen trumat

“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, komunat dhe profesionistët shëndetësorë kanë realizuar mbi 12 mijë vizita në komunitet, në shumicën e komunave dhe synimi është që të zgjerojmë këtë aktivitet në mënyrë që të arrijmë në  grupe të cenueshme”, u shpreh Musa.

Ai tregoi se Ministria e Shëndetësisë, ka hapur thirrje për shprehje të interesit për sektorin  joqeveritar , duke ndarë 200 mijë euro prej të cilave do të financohen propozime të ndryshme.