Foto ajrore e lokacionit

Zgjerimi i kampusit universitar te Fakulteti Teknik, detajet e projektit dhe kundërshtimet mes palëve

Asambleja e Kuvendit të Komunës së Prishtinës të enjten ka miratuar planin rregullues të hollësishëm për zonën te Fakulteti Teknik në lagjen Bregu i Diellit.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, në zonën te Fakulteti Teknik pritet të ndërtohen katër objekte të reja të cilat do shërbejnë për Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore (FSHMN), Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe zgjerimi i Fakultetit të Ingjinierisë Mekanike dhe Elektrike.

Diskutimet publike për ndërtime në këtë zonë, kanë filluar nga viti 2019  kurse plani për zgjerim të kampusit universitar në këtë zonë, daton nga vitet 70-ta.

Aktualisht në këtë hapësirë, 28 për qind e hapësirës është ndërtim, kurse pjesa tjetër është hapësirë publike me mbi 50 për qind gjelbërim.

Plani për ndërtim të objekteve të reja është bërë nga Fakulteti i Arkitekturës.

Ilir Gjinolli, profesor në Fakultetin e Arkitekturës dhe njëkohësisht pjsëmarrës në hartimin e këtij projekti, për KALLXO.com ka deklaruar se Katedra e Urbanizmit e ka bërë projektin e fizibilitetit i cili është diskutuar me të gjitha fakultetet që kanë nevojë për hapësira të reja.

“Po ashtu procesi është koordinuar tërë kohën me Drejtorinë e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë Gjinolli.

Gjinolli ka thënë se plani që është tani ka ndryshim nga ai i viteve 70-ta, pasi tentohet të lihet më shumë hapësirë publike.

“Pikërisht për shkak të qëllimit që zhvillimi i ardhshëm të ketë më shumë hapësirë publike dhe të gjelbëruar dhe të jetë i hapur për të gjithë qytetarët. Kjo është qartë e përshkruar te koncepti i zhvillimit”, shton ai.

Lidhur me mundësinë që këto objekte të ndërtoheshin në ndonjë lokacion tjetër, Gjinolli ka thënë se FSHMN me plan rregullues ka qenë i paraparë në kampusin universitar, por kjo nuk është lejuar nga Komuna.

Sipas tij, për lokacione tjera nuk ka pasur interes pasi qendra studentore dhe shumë objekte tjera bëhen të paarritshme për studentët.

“Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore me planin rregullues Qendra 2, ka qenë i paraparë në lokacionin e Qendrës Universitare, por Komuna nuk ka lejuar që aty të ndërtohet edhe një fakultet. Për lokacione të tjera nuk ka pasur interes sepse disa përmbajtje qendrore si konviktet, mensa e studenteve, salla e sporteve, ambulanta, bëhen të paarritshme për ndërtesat jashtë qytetit”, potencoi Gjinolli.

Lidhur me faktin se sa prej hapësirave të fakulteteve janë në shfrytëzim dhe nëse kanë qenë nevoja për objekte të reja, Gjinolli ka thënë se për të gjitha fakultetet e lartpërmendura ka nevojë për hapësirë shtesë.

“Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore i ka nëse nuk gaboj më pak se 2 metra katror për një student e duhet t’i i ketë 5 deri 5.5 metra katror, Fakulteti Ekonomik edhe më keq – 0.45 metra katror për një student e duhet t’i ketë 4 metra katror”, ka thënë Gjinolli.

Kurse, kërkesat dhe peticionet e qytetarëve që kanë të bëjnë me ridestinimin e tërë kësaj hapësire, në raportin e Komisionit janë vlerësuar si të papranueshme për faktin që një kërkesë e tillë nuk është në harmoni me destinimin e planeve urbanistike në fuqi, Plani Zhvillimor Komunal dhe Plani Zhvillimor Urban.

Foto ajrore e lokacionit

Kërkesat që këto objekte të ndërtohen në periferi të qytetit, Komisioni ka konsideruar se janë jashtë kompetencave të tyre, të cilat mund të merren parasysh gjatë hartimit të Hartës Zonale.

Kurse, Flutra Zymi, nga organizata “Qytetarët aktivë” ka thënë se qyteti vuan për hapësira gjelbëruese dhe të gjithë duhet të konsiderojnë në ndaljen e ndërtimit të këtyre objekteve.

“Duke pasur parasysh ngufatjen e kryeqytetit, pa hapësira publike të gjelbra, që të gjithë do duhej të konsideronin ndalimin e objekteve tjera. Kjo hapësirë mund të përdoret për shumë qytetarë të qytetit të cilët vuajnë për hapësira të gjelbra”, ka thënë Zymi.

Ajo potencoi se ky ndërtim do ketë pasoja në shëndet, gjendjen mentale dhe shpirtërore të qytetarëve. Këto hapësira, sipas saj, duhet të konsiderohen të shenjta.

“Prishtina, ka problem serioz me hapësirat publike sidomos ato gjelbëruese, ky problem do të ketë pasoja në shëndetin dhe gjendjen mentale dhe shpirtërore të qytetarëve, prandaj zonat që kanë mbetur me gjelbërim duhet të ruhen dhe konsiderohen si të shenjta”, thotë ajo.

Ndërtimi i këtyre objekteve pritet të bëhet me përkrahje nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria, kurse punimet pritet të fillojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kampusi i Teknikut ka filluar të zhvillohet në vitin 1975, kur është hartuar plani i kompleksit të Fakultetit Teknik nga arkitekti slloven Edvard Ravnikar, i cili e ka hartuar edhe projektin e ndërtesës së ish fakultetit Teknik dhe Laboratorëve.

Plani i vitit 1975

Ky plan ishte punuar para se të ndërtohej rrjeti i sotëm i rrugëve që e rrethojnë lokacionin. Nga Plani origjinal mund të shihet se ai parasheh një ndërtesë me hapësira të përbashkëta për të tri fakultetet, nga një ndërtesë me hapësirat e mësimit dhe hapësirat e përgjithshme për secilin fakultet dhe ndërtesën e madhe të laboratorëve, e lidhur direkt me secilën prej ndërtesave përmes urave.

Në vitin 1988, Fakulteti Teknik i cili përbëhej nga 4 njësi organizative u nda në tre fakultete – Fakulteti i Elektroteknikës, Makinerisë dhe Fakultet i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Me gjithë këtë ndarje, hapësira e ndërtuar në vitin 1982 ende shfrytëzohet bashkërisht nga tri fakultete, përfshi edhe laboratorët.

Sipas PGJU-se-Planit Gjeneral Urbanistik 1985-2000, ky lokacion parashihej për zhvillimin e njësive të reja të arsimit të lartë përfshi hapësira të gjelbra publike dhe rekreative sportive.

Plani Strategjik Urban i hartuar në vitin 2004 e parashihte zonën kryesisht si zonë të arsimit. Në vitin 2006 një pjesë e këtij lokacioni i ishte ndarë për shfrytëzim Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjegjësisht për ndërtimin e Teatrit të Operës.

Kurse, plani Zhvillimor Urban 2013 – 2023, lokacionin te Fakulteti Teknik e parasheh hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe arsimore.