Vushtrri – Shkollat e mesme fillojnë mësimin nga distanca që nga hëna

 

Që nga 12 marsi kur të gjitha shkollat në Kosovë u mbyllën me vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës ,Teknologjisë dhe Inovacionit, për parandalimin e përhapjes së pandemisë CoVid-19 niveli i mesëm i arsimit nuk ka zhvilluar mësim.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Afrim Nimani ka thënë për KALLXO.com se në disa shkolla me vetiniciativë të mësimdhënësve mësimi është zhvilluar nga distanca.

Nimani ka shtuar se me vendim të MASHTI-t që nga e hëna mësimi do të fillojë për të gjitha shkollat.

“Mësimi në shkollat e mesme të larta për disa lëndë në disa shkolla ka filluar me vetiniciative të mësimdhënësve kurse për të gjitha shkollat pritet të filloj nga data 30 mars edhe sipas udhëzimeve të MASHTI, nga dje kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e kësaj forme të mësimit”, ka thënë ai.

Ndërkaq Lulzim Bivolaku, drejtor i Gjimnazit  Eqrem Çabej” në këtë komunë ka thënë se mësimi në distancë do të bëhet përmes platformës “Zoom Meeting”.

“Po do të filloj të mbahet që nga e hëna. Orët do të mbahen në platformën Zoom meeting”, ka thënë Bivolaku.

Që nga java e kaluar mësimi online për ciklin e klasave 1 deri në 5 ka filluar përmes transmetimeve në Televizionin Publik të Kosovës, RTK1 dhe RTK4 ndërsa për ato 6-9 pritet të filloj nga java e ardhshme.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distance.