Viti i i ri shkollor planifikohet të fillojë më 1 shtator

Ndonëse rritja e rasteve pozitive është duke vazhduar nga dita e në ditë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me pjesëmarrje fizike në shkolla.

Kështu kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga ana e MAShTI.

“Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit shkollor”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, MAShTI ka theksuar se javën e ardhshme do të zhvillojnë një takim me Drejtoritë komunale të Arsimit, dhe sipas tyre për çdo gjë do të ketë koordinim me komunat.

“MASHTI po ashtu edhe njëherë ju bënë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit, përfshirë atyre të nivelit para universitar dhe të arsimit të lartë që të vaksinohen”, thonë nga ministria.

Ndërsa sot, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55 mijë e 94.

Derisa mësimi pritet të fillojë në muajin shtator, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se tashmë në Kosovë mund të vaksinohen edhe personat nën moshën 18-vjeçare.

Nga 29 marsi, kur kanë filluar vaksinimi në Kosovë e deri më sot janë dhënë 644 mijë e 212 doza të vaksinës, ndërsa 221 mijë e 26 qytetarë tashmë janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës.

Ndërsa, mësimi për vitin shkollor 2020/21 për shkak të pandemisë COVID-19 kishte filluar në dy faza, e para më 14 shtator dhe e dyta më 21 shtator.

Për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A ishte për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Nagavci: Ka rritje të interesimit të punëtorëve arsimor dhe studentëve për t’u vaksinuar