(VIDEO) Ministrja e Arsimit jep detaje për mësimin nga distanca

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovaconit, Hykmete Bajrami ka treguar në një intervistë për KALLXO.com se si ka filluar projekti për mësim nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që pritet të fillojë të hënën më 23 mars.

Bajrami tha se projektin e kanë filluar ende pa marrë vendim Qeveria që të mbyllen të gjitha institucionet arsimore.

“Kemi filluar me punu për mësimin online disa ditë para se me u mbyllë shkollat për shkak të zhvillimeve që behëshin në rajon dhe në botë me rastin e COVID-19, ne e pamë si të nevojshme dhe e parapamë që virusi mund të përfshinte edhe vendin tonë”, tha Bajrami.

Ajo në intervistën për KALLXO.com ka treguar edhe si do të realizohet ky projekt dhe çfarë përmban.

“Po punohet në prodhimin e vidoeve të xhriimeve, video materialeve dhe do të transmetohen në RTK 1 dhe RTK 4. Po punohet në dizajnimin e webfaqes për të cilën po na ndihmon kompania Gjirafa, një ndihmë të pakursyer në mënyrë që qytetarët, nxënësit të kenë qasje të pakufizuar në këto materiale”, tha Bajrami.

“Po punohet në një web faqe tjetër e cila është e-platforma ku do të vendosen të gjitha materialet që janë në pronësi të operatorëve të ndryshëm privat dhe do të ketë material në të gjitha gjuhët”, ka shtuar më tej Bajrami.

Ministrja shtoi se nga e hëna do të jenë të gatshme të gjitha materialet për nivelin 1-5 dhe ditëve në vijim do t’i përgatisin për nivelet e tjera.