Vendimi i Qeverisë: Mësimi dhe studimet online, provimet me prani fizike

Qeveria e Kosovës, në mesin e 46 masave të aprovuara si kushte parandaluese për COVID19, ka paraparë format se di do të realizohet mbajta e mësimit dhe funksionimit të konvikteve dhe mensave, por edhe institucioneve të tjera arsimore.

“Të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit para universitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (6 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore. Institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19”, thuhet në pikën 16 të vendimit.

Përjashtim nga pika 16, bën mbarëvajtja e provimeve të cilat mund të mbahen me prani fizike në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona.

Sipas vendimit, konviktet dhe mensat pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill 2021.

“Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve”, thuhet në pikën 19 të vendimit.

Gjithsej 46 rekomandime janë miratuar në mbledhjen e qeverisë.

Miratimit të këtyre masave u parapriu rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 si dhe numri i lartë i vdekjeve të regjistruara ditëve të fundit.

KALLXO.com publikoi të gjitha masat dhe rekomandimet e miratuara gjatë ditës së sotme.

Të gjitha masat e miratuara të Qeverisë kundër COVID-19