Ilustrim - Shkolla Fillore, "Xhemajl Mustafa", Prishtinë, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Vazhdon trendi i rritjes i braktisjes së shkollimit

Numri i nxënësve që braktisin shkollimin në Kosovë po vazhdon të rritet. Këtë vit në krahasim me vitin e kaluar ka pasur një rritje të lehtë sa i përket fëmijëve që e kanë lënë shkollën, por një gjë që mbetët e njëjtë është se numri më i madh i fëmijëve që braktisin shkollën janë djemtë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin shkollor 2019/20, 1089 nxënës e braktisën shkollën. Prej tyre janë 833 djem dhe 256 vajza.

Ndërsa, sa i përket vitit shkollor 2018/19, numri i nxënësve që e braktisën shkollën ishte më i vogël, që ishte 996 nxënës. Prej tyre ishin 769 djem dhe 227 vajza.

Për braktisjen e shkollimit, Kosova kishte marrë kritika edhe nga ana e Raportit të Progresit për vitin 2020, ku është theksuar se duhet të merren masa për të adresuat shkallën e lartë të braktisjes së shkollimit nga ana e fëmijëve romë dhe ashkali.

“Duhet të merren masa për të adresuar shkallën e lartë të braktisjes së fëmijëve romë dhe ashkali, p.sh. mbështetjen e punës së qendrave të mësimit (të themeluara dhe mbështetur kryesisht nga donatorët). Kryesisht është në saje të qendrave të të mësuarit që nivelet e regjistrimit në arsimin e detyrueshëm janë rritur në mesin e fëmijëve romë dhe ashkali, dhe nivelet e braktisjes janë ulur. Megjithëse qeveria premtoi të kontribuojë në financimin e tyre, ajo ende nuk ka alokuar burimet buxhetore, asnjë fond nuk ishte alokuar për këto qendra në buxhetin e vitit 2020”, thuhet në këtë raport.

Kurse, Ministria e Arsimit me moton “Mundësi të barabarta në arsim për të gjithë”, më 11 nëntor ka hapur “Javën kundër braktisjes” që është deri më 20 nëntor.

MASh u ka bërë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit dhe secilit punonjës në arsim, prindërve dhe gjithë komunitetit, që të adresojnë secilën sfidë që ndikon në mosvijimin e mësimit nga fëmijët, në mënyrë që të ketë reagim të shpejtë institucional për të zgjidhur problemet.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si traktati që i mbulon në mënyrë gjithëpërfshirëse të drejtat e fëmijës, në parimet bazë të kësaj konvente thuhet se shtetet orientojnë politikat nacionale, prandaj ato janë bazamenti i të drejtave universale për çdo fëmijë/individ që janë: Mosdiskriminimi, pjesëmarrja, interesi më i lartë i fëmijës dhe zhvillimi i potencialit të plotë.

Duke u bazuar në këto parime, instuticionet arsimore kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor.

Në anën tjetër, ligjet aktuale të arsimit, bashkë me aktet nënligjore përcjellëse adresojnë mundësitë e barabarta dhe qasjen gjithëpërfshirëse në arsim.

Në Kushtetutën e Kosovës neni 47, paragrafi 1, thuhet se secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohet me ligj dhe financohet nga fondet publike.

Edhe në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë është theksuar se duhet të bëhet rrritja e përfshirjes dhe mundësitë e barabarta për zhvillim, aftësim dhe arsimim të çdo individi në arsimin parauniversitar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin shkollor 2019/20, nga çerdhet e deri te arsimi universitar, e ai special, evidentohen mbi 424 mijë e 786 nxënës e studentë.

Në anën tjetër, eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci tha për KALLXO.com se arsyeja kryesore pse fëmijët braktisin shkollimin është për shkak të gjendjes ekonomike.

“Braktisja e shkollimit në Kosovë kryesisht ndodh për shkaqe ekonomike, prandaj numri më i madh i braktisësve janë djem. Shkalla e braktisjes prej 0.1% nuk është e lartë krahasuar me vendet tjera evropiane, por nuk jemi të sigurt se të gjitha rastet e braktisjes raportohen, pasi ekziston praktika që braktisësit të evidentohen si përsëritës të klasës”, tha ai.

Sipas tij, këtë vit rritja e numrit tregon mundësinë e raportimit më të madh të rasteve të braktisjeve.

“ Vërehet se këtë vit ka rritje të braktisjes në raport me vitin e kaluar, ndërkohë që numri i nxënësve në shkolla vazhdon të zvogëlohet. Kjo ose do të thotë se shkalla e braktisjes po rritet ose po raportohen më shumë raste të braktisjes. Mund të jetë kjo edhe pasojë e pandemisë që ka vështirësuar kontaktet me nxënës”, tha Pupovci për KALLXO.com

Ai thotë se çdo braktisje e shkollimit të detyrueshëm është brengë për shoqërinë, ndërsa numri prej 1,089 braktisësve, sipas tij, nuk është i pamenaxhueshëm për një shtet si Kosova.

“Prandaj, shteti duhet t’i merr të gjitha masat e nevojshme për kthimin në shkollë të fëmijëve braktisës që nënkupton kontaktin e drejtpërdrejtë me familje, ofrimin e ndihmës në formë të mjeteve mësimore, mbulimit të shpenzimeve të transportit, madje edhe veshmbathjes. Po ashtu, kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet parandalimit të braktisjes. Shkollat duhet të përcjellin me kujdes mungesat e nxënësve që, zakonisht, janë një paralajmërues i braktisjes, dhe të reagojnë duke ndihmuar aty ku ka nevojë”, tha në fund eksperti i arsimit për KALLXO.com.

Kosovës po i zbrazen bankat e shkollës

.