Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

UP nuk ka publikuar disa dokumente në E-Prokurim për tenderin për mirëmbajtje edhe pse e kanë obligim

Në tenderin për “Pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të jashtme dhe të brendshme të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina”, një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve nuk i janë siguruar Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditim, me arsyetimin se nuk gjenden në platformën elektronike të E-prokurimit.

Kjo ka ndodhur edhe përkundër që nga 1 shtatori i vitit 2018, autoritetet kontraktuese janë të obliguara që për të gjitha aktivitetet me vlerë të madhe, dokumentet të jenë krejtësisht në formë elektronike.

Për këtë procedurë, deklarata e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së mjeteve (DNPDF) ishte nënshkruar dhe konfirmuar vetëm nga Zyrtarit Kryesor Administrativ (ZKA), ndërsa mungonin informatat për njësinë kërkuese si dhe nënshkrimi i Zyrtarit të Prokurimit (ZP) dhe Zyrtarit Kryesor Financiar (ZKF).

“Në çdo dokument që posedojmë (DNPDF, kërkesa për blerje dhe autorizimi, ftesa për ofertim, njoftimi për dhënie te kontratës etj) të kësaj procedure, shuma e parashikuar e kontratës është paraqitur vetëm vlera e parashikuar mujore dhe jo shuma totale që parashihet për tërë kohëzgjatjen e kontratës”, thuhet në njoftimin raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Zotimi i mjeteve ishte bërë pas nënshkrimit të kontratës dhe vetëm në shumën e faturës mujore.

Edhe pse vlera e parashikuar për tre muaj aq sa është negociuar kontrata arrin vlerën 176,400 euro (me ç’rast kjo kontratë kualifikohet si kontratë me vlerë të madhe – mbi 125,000 euro), kontrata ishte nënshkruar vetëm nga Zyrtari i Prokurimit dhe operatori ekonomik por jo edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ.

Sipas vendimit të datës 5 korrik 2018, i nxjerrë nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), parashihet që të gjitha aktivitetet me vlerë të madhe të cilat do zhvillohen nga Autoriteti Kontraktues nga data 1 shtator 2018 do të jenë krejtësisht në formë elektronike.

Rregullat dhe Udhëzimi Oprativ të Prokurimit Publik (RrUOPP) kërkon që vlerësimi formal i nevojave nga njësia kërkuese do t`i drejtohet ZKA për aprovim. Pas aprovimit nga ZKA, ZKF do të sigurojë që fondet janë në disponueshmëri për prokurimin në fjalë.

Aprovimi i inicimit të aktivitetit të prokurimit do të evidentohet me nënshkrim të DNPDF nga ZKA dhe ZKF.

Ligji për Prokurim Publik parasheh që vlera e parashikuar e kontratës së propozuar për shërbime është e barabartë me pagesën e përgjithshme dhe shumat e kompensueshme që do të paguhen nga AK sipas kontratës, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.

Po ashtu, i njëjti ligj, përcakton që përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit, kontratat me vlera të mëdha duhet të nënshkruhen edhe nga ZKA. Derisa kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafët e këtij neni, janë të pazbatueshme.

Sipas Rregullës Financiare për Shpenzimin e Parasë Publike, asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotimin paraprak dhe se zotimi duhet të jetë pjesë përbërëse e kontratës.

Auditori ka potencuar se mungesa e dokumentacionit origjinal për nevoja të rishikimit, kufizon mundësinë e dokumentimit dhe krijon paqartësi nëse procesi është kryer sipas kërkesave ligjore.

“Mos publikimi i njoftimeve për dhënie dhe nënshkrim të kontratës, ndikon në mungesë të transparencës së procesit. Dobësitë e identifikuara në proceset e prokurimit ndikojnë në menaxhimin jo të mirë të prokurimit”, thuhet në raportin e Auditorit për Universitetin e Prishtinës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që rektori duhet të sigurohet se do të rishikohen kontrollet si në mirëmbajtjen e dosjeve duke ofruar siguri në ruajtjen e të dhënave, ashtu edhe të forcojë kontrollet në zyrën e prokurimit lidhur me sigurinë dhe transparencën e procedurave tenderuese.

Menaxhmenti i Universitetit është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.